(Portret i vogël i luftëtarit të madh, që luftoi në këmbë për kufijtë e Shqipërisë etnike)
Bajram Sejdë Gashi (1900-1985) nga fshati Papiq i Deçanit, ishte një prej figurave të rralla të luftës për kufij etnikë në Mal të Zi, shembulli më i mirë i luftëtarit të pathyeshëm, që në çdo betejë për trojet etnike, për gjashtë muaj rresht ka treguar heroizëm të pashoq.
Ai ishte një burrë rreth dy metra i gjatë, i cili tërë jetën e tij qëndroi stoik, dy herë ushtar: herën e parë vullnetar nën bajrakun e Isniqit, herën e dytë ushtar në vend të vëllait të tij, lahutarit të njohur me nam në Dukagjin, Sahit Sejdë Gashit, Bajrami ishte paraqitur në emrin e tij, duke i thënë: “Ti lahutën, unë hutën”.
Rrëfimet e bashkëluftuesve të tij për të, përherë kanë qenë mbresëlënëse dhe të pazakonta, pothuaj epike. Ai njihet si figura më heroike e luftëtarëve shqiptarë, i cili si vullnetar nga Rrafshi i Dukagjinit, në mënyrë të veçantë ishte dalluar në luftën e Smilovicës dhe përgjatë kufirit nga Maja e Kaçuberrit e deri në Çakorr.
Bajram Sejdë Gashi, kishte një trashëgimi dhe një histori familjare goxha të hidhur. Në fillimshekullin e kaluar, gjyshin e tij, Hasan Nezir Gashin, forcat serbe-malazeze, në kuadër të ofensivës makabre për konvertimin e fesë, ia kanë ‘gri’ mu te Përroi i Lubeniqit të Pëjës, bashkë me bashkëfshatarë të tjerë nga Papiqi, Broliqi e fshatra të tjera. Më vonë, në ditët e Shqipnisë, në kohën kur kërkoheshin vullnetarë për mbrojtje të kufirit me Malin e Zi, në luftën e Smilovicës, ai, vetë i dytë, bashkë me Smajl Mejmet Berishën, ishte ndër vullnetarët e parë, i cili ishte kyçur në ballë të frontit. Siç thuhet nga të dhënat e kohës, Bajram Sejda, bashkë me Smajl Mehmetin e Berishës, po nga fshati Papiq, kur forcat serbo-malazeze, të mbushura municion dhe artileri të rëndë, i kishin vendosë forcat shqiptare në pozitë të palakmueshme rrethimi, ai, me guximin e një luftëtari të regjur ndër beteja, me pak municion, vetëm me dy bomba, ngrihet në këmbë dhe çan rrethimin.*
Sipas rrëfimeve të luftëtarit të dalluar nga Isniqi i Deçanit, Rexhep Mulaku (Mulaj), pjesë e Bajrakut të Isniqit, Bajram Sejdë Gashit, në disa raste, i është dashur t’i tërhiqet vërejtja, sepse kishte rrezikuar shpesh jetën për vete dhe për shokë, meqë “kishte zakon t’luftonte n’kambë”, sidomos kur forcat armike afroheshin afër.
Luftëtari, Bajram Sejdë Gashi, sipas bashkëkohanikut dhe bashkëluftëtarit tjetër, Halil Mulaj – “Halil Kapetani”, po nga Isniqi, kishte treguar guxim të jashtëzakonshëm prej dukagjinasi në çdo ditë luftimi. Në një rast luftimesh, në një afërsi prej 300 metrash, në mes luftëtarëve shqiptarë dhe atyre serbo-malazezë, kishin mbetur të vrarë disa prej armiqve, të cilët kishin provuar t’i afrohen istikameve të luftëtarëve shqiptarë. E, meqë këta të fundit, nuk kishin municion sa duhet, Bajram Sejda kishte dalë vullnetar, pa iu trembur syri, mu në shesh të betejës dhe ua ka marrë armët çetnikëve serbë të vrarë.*
Një dëshmi tjetër e dhënë nga Ibrahim Gashi, sot 87 -vjeç, thuhet se gjatë luftës në Smilovicë, Bajram Sejda, përderisa po luftonin me ditë tëra, në një dimër të vështirë, në mes tyre dhe forcave malazeze, në një sheshinë të hapur, kishte mbetur një kapiten i ushtrisë shqiptare, kapiten i Shqipërisë shtetërore, për të cilin thuhej se ishte djalë hasreti, dhe prindërit e kërkonin pa nda nga Shqipëria: “atë djalë të ri, i mbetun shehit në mes beteje, çetnikët serbë për dhetë ditë i shkonin te trupi dhe, për s’dekuni e shponin me bajoneta pushkësh, duke i thanë serbisht: “Çohu, shqiptar i zi!”. Këtë e kishin bërë për ta shëmtuar kufomën dhe fyer luftëtarët shqiptarë. Por, Bajram Sejda, ishte betuar para bashkëluftëtarëve, se për të gjallë të tij, nuk do ta linte ta fyenin më dhe shëmtonin kufomën e atij të riu, prandaj bashkë me Smajl Mehmetin e Berishës, dalin në lëndinën me borë, por gjithnjë të mbuluar me një“sharc” nga një luftëtar i Isniqit, e tërheqin trupin e tij nëpër breshëri plumbash dhe varrosin n’kërrshina të ngrira, “skaj një breje, tuj e gërry tokën me bajoneta, sa për ta lshu trupin e tij të bamë shportë”, derisa iu është krijuar mundësia prindërve, të mbështetur nga forcat gjermane, ta zhvarrosnin dhe t’i çonin eshtrat në vendlindjen e tij.*
Sipas të dhënave të mbledhura nëpër kohë nga prof. Ymer Gashi: “Bajram Sejda ka marrë pjesë n’Çakorr e deri në Smilovicë bashkë me bajraktarin e Isniqit, me Murat Bajraktarin, me Rexhep Mulakun(të dy të Isniqit)Smajl Mehmetin (e Papiqit), Selim Ahmetin ( e Broliqit), ballaxhinë, Curr Zymerin etj.
Madje, Bajram Sejda, në betejën Smilovicës, çetnikëve serbë iu ka kërku me dalë n’mejdan, n’dyluftim, por duke ditur përvojën e Sak Fazlisë, ku i kishin dalë edhe dy të tjerë anësh, e kishin bindur të heqë dorë, sepse kishin përballë një armik të pabesë. Megjithatë, në betejën Smilovicës, Bajram Sejda, ka luftu n’kambë, derisa bajraktari i Isniqit e ka bindë që të bie në njërin gju dhe të pozicionohet te një kerrsh bashkë me Smajl Mehmetin. Më kujtohet mirë, Halil Kapetani, kur thoshte: “Bajram Sejdës duhet me ia pre një kurban, se qasi trimi kurrë nuk kam pa. Ma shumë ka luftu n’kambë se n’guj’. Ka vra çetnikë pik e pik, deri o plagosë në njanën n’komë, po jo shumë. As që e ka ba hesap bile, po o fut prapë n’dyfek”, e rithoshte Halil Mulaku.
Po ashtu, Bajram Sejda ka ndejtë gjashtë muej ditë n’front dhe për gjashtë muej ditë, ka kallëxu vetë, nuk i ka ndërru teshat, veç çizmet kur iu kanë shky. E ka pasë rrypin e krahut gjys’ t’kputun prej plumbave, e nuk o dorëzu. Bile, një moment, bashkë me Smajl Mehmetin, falë guximit të tyre dhe pozicionit që kishin nxanë, me ‘talianka, veç ata dy, ua kanë ndalë turrin një ofensive prej ma shumë se 300 çetnikëve serbë, deri iu kanë ardhë në ndihmë luftëtarë të tjerë, të cilët sapo iu kishin sjellë gjermanët armatim me mushq italianë: “Bajram Sejda ka kallxue, se si mushqit dihatnin prej ngarkimit të municionit”, atëherë i kanë shkatërru forcat armike.*
Kështu, Bajram (Sejdë) Gashi, bashkë me Smajl (Mehmet) Berishën, kanë qenë ndër luftëtarët më sypatrembur në luftë për kufijtë e Shqipërisë etnike. Sipas të dhënave të bashkëfshatarëve, mbi 80-vjeç, Bajram Sejda e Smajl Mehmeti kanë qenë edhe shokë të mirë, edhe bashkëfshatarë, të dy të fshatit Papiq, por mbi të gjitha kumbarë shtëpie me njëri -tjetrin. “Smajl Mehmet Berisha, ka qenë një ndër njerëzit ma besnikë e më të pathyeshëm, që i ka qëndru gjithmonë në krah Bajram Sejdës së Gashit, dhe për asnjë moment në vijën e frontit nuk kanë ba një hap mbrapa”, shton Gashi.
Përfundimisht, ata që e kanë njohur në luftë, por edhe jetën e përditshme, Bajram Sejdë Gashin e kanë njohur si njërin ndër trimat e rrallë dhe të palëkundur, një luftëtar epik që hije i kishte pushka e lufta në këmbë.
*Dëshmi e Rexhep Mulakut (Mulaj) të Isniqit, 1985
*Dëshmi e Halil Mulajt- “Kapetanit”, 1992
*Dëshmi e Haxhi Gashit, e nxjerrë nga babai i tij, Bajram Sejdë Gashi, 1984
* Dëshmi e Ymer Gashit, 82-vjeçar, nga të dhënat e mbledhura gjatë kohës, 2023
*Dëshmi e Murat Bajraktarit të Isniqit, dhënë gjatë fundviteve 1980
* Dëshmi e Ibrahim Gashit, 87- vjecar, dhënë Agron Gashit, 2023
*Dëshmi gojore e Smajl Mehmet Berishës dhënë Ibrahim Gashit, në vitet ’80-të.
Përg. A. Gashi