Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës ka bërë të ditur se Mrika dhe Arianit Nikçi janë përfshirë zyrtarisht në Librin e Rekordeve “Guinness”, si babë e bijë që në kohën më të shkurtër kanë ngjitur shtatë majat më të larta të shtatë kontinenteve të botës, të njohura si “Seven Summits”.
Në njoftimin e federatës thuhet se kjo sfidë u realizua nga data 25 janar 2018 deri më 15 gusht 2019.
Sipas njoftimit, dyshja shqiptare arritën të përmbyllin këtë mision duke ngjitur majat më të larta të secilit kontinent: Everest, Aconcagua, Denali, Kilimanjaro, Elbrus, Carstensz Pyramid dhe Vinson Massif.
Federata e cilëson këtë si një moment të veçantë për Kosovën dhe shqiptarët, duke e vlerësuar si arritjen e parë të këtij lloji që fut emrin e vendit në Librin e Rekordeve Guinness në një disiplinë të tillë sportive.
Ky sukses është konsideruar si burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët, me theks të veçantë në rëndësinë e përkushtimit dhe vendosmërisë për realizimin e ëndrrave.
Gjithashtu, në njoftim përmendet se Mrika Nikçi është bërë femra më e re në botë që ka arritur të ngjisë të shtatë majat, ndërsa Arianit Nikçi ka qenë udhëheqës dhe mbështetës i vazhdueshëm në këtë udhëtim, duke e përmbushur rolin e tij si alpinist dhe prind.