Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci thotë se nën qeverisjen e kryeministrit Kurti, për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin janë bërë hapa konkretë dhe të rëndësishëm për shqiptarët e Luginës.
Ai thotë se në vitin 2024, kanë rritur mbështetjen financiare nga 2 në 3 milionë euro.
“E vetmja mbështetje nga qeverisjet e kaluara në Kosovë për Preshevën ishin 50 mijë euro për maternitetin e Preshevës”.
Tutje ai thotë se për herë të parë kemi linjë të rregullt buxhetore për shqiptarët e këtyre komunave.
“Në përballje me pandeminë Covid-19, ndamë gjysmë milioni euro. Ndërsa në vitin pasues, kur Presheva u godit nga vërshimet, siguruam 100 mijë euro për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve. Siguruam libra shkollorë dhe parashkollorë në gjuhën shqipe për mbi 4,000 nxënës shqiptarë çdo vit. Bursat për studentët shqiptarë janë rritur, duke arritur në 1,234 bursa në vitin 2024”.
Bajqinovci thekson se kanë mbështetur përfaqësuesit shqiptarë në SHBA dhe Parlamentin Evropian me fonde në vitet 2023 dhe 2024.
“Publikuam formularin e aplikimit për qëndrim të përhershëm në rrethana të jashtëzakonshme për qytetarët e padokumentuar të Luginës në Republikën e Kosovës. Miratuam në lexim të parë Ligjin për Shtetësinë e Kosovës, një hap i rëndësishëm drejt lehtësimit të përfitimit të shtetësisë nga shqiptarët e Luginës. Siguruam 12 kuota për shkollim specialistik në mjekësi në vitin 2023 dhe 14 kuota për vitin 2024. Trajtim të barabartë për pacientët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja në spitalet e Kosovës. Miratuam Projekt-udhëzimin Administrativ për Licencimin e Profesionistëve të Huaj Shëndetësorë, duke rregulluar licencimin dhe rilicencimin e profesionistëve nga Lugina e Preshevës. Miratuam Projektligjin për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj, duke u mundësuar qytetarëve të Luginës të bëhen pronarë të paluajtshmërive në Kosovë”.