Avokati Rudari ngre shqetësimin: Fushatë e ashpër e suspendimit dhe arresimit të policëve, ku është Sindikata?

Avokati Naim Rudari, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Policia e Kosovës në këtë vit ka ndërmarrë një fushatë më të ashpër për suspendimin, arrestimin dhe largimin e policëve nga puna në procedurën më të shpejtë të mundshme ndërsa Sindikata e Policisë duket se është në gjumë.

“Dje me datë 19/08/2021 pesë policë (të përfshirë në raste të ndryshme) që u paraqitën para Komisionit Disiplinor të Policisë së Kosovës përfunduan me shkëputje të marrdhënies së punës. Kjo po vërtetohet se Policia e Kosovës ka ndërmarrë fushatë për largimin e policëve nga puna për cilëndo procedurë të inicuar ndaj tyre, edhe kur ata kanë procedura tjera në zhvillim e sipër,e që me UA (udhëzim administrativ) kërkohet që Policia të pezullojë procedurën e brendshme derisa të nxirret një vendim tjetër nga një organ tjetër, ajo nuk po respektohet fare”, shkruan Rudari.

Sipas tij, për më tutje Komisioni Disiplinor të gjithë policëve që janë të paraqitur para komisionit disiplinor po u mohon të drejtën që të përfaqësohen nga avokati në seancën dëgjimore para komisionit e që kjo bie ndesh me UA 04/2019, me ligjet e aplikueshme në vend si Ligji i Procedurës së përgjithshme administrative, Ligji për avokatinë etj.

“Oda e Avokatëve të Kosovës do të ndryshojë së shpejti procedurat dhe praktikën e tanishme për të ushtruar të drejtën e ushtrimit të detyrës së tyre për avokatët që angazhohen për të përfaqësuar policët që ftohen në seancat e Komisionit Disiplinor”, ka shkruar ai në fund.

Reklama