Avokati i kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqit, i cili ishte arrestuar në Bullgari më 19 shkurt me urdhërarrestin e lëshuar nga Italia, ka pretenduar se shkak i arrestimit të klientit të tij janë disa persona që kanë pretenduar se janë sportistë dhe që kanë udhëtuar me kompaninë e Krasniqit, nuk janë kthyer më në Kosovë pas udhëtimit jashtë shtetit.
Avokati Tritan Hamitaj në një komunikatë për media, ka pretenduar se autoritetet italiane të drejtësisë kanë vërejtur se marrja e vizave nga sportistët kishte parregullsi për shkak se disa prej tyre nuk kanë qenë pjesëtarë të ekipit dhe qëllimi i pajisjes me viza ka qenë për migrim.
Krasniqi është arrestuar në Bullgari në bazë të urdhërarrestit të lëshuar nga policia italiane nën dyshimet për trafikim me qenie njerëzore.
“Hasan Krasniqi është ortak me 50% të kuotave të personit juridik Shpatturs shpk. Këtë shoqëri në cilësinë e administratorit e drejton Z. Muhamet Krasniqi i cili është vëllai i Z. Hasan Krasniqi”, ka sqaruar avokati Hamitaj.
“Kjo shoqëri ka në objektin e veprimtarisë së saj ndër të tjera edhe transportit rrugor të udhëtarëve, dhe për këtë shkak është pajisur me licencë profesionale që nga data 8.1.2021”, ka shtuar ai.
Për shkak të kësaj veprimtarie me mjetet e transportit në pronësi të saj janë transportuar në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian ndër të tjera edhe ekipe sportive të ndryshme. Disa nga sportistët, sipas avokatit Hamitaj, që kanë lëvizur në vitin 2022 nuk janë kthyer në Kosovë dhe ka rezultuar nga autoritet italiane të Drejtësisë se marrja e vizave prej tyre ka pasur parregullsi për shkak se nuk kanë qenë pjesëtar të ekipit sportiv dhe qëllimi i marrjes së vizave ka qenë për emigrim.
“Nga hetimi ka rezultuar se këta sportistë kanë lëvizur me mjetet e transportit të ‘Shpatturs’ dhe prej autoriteteve të drejtësisë Italiane është vlerësuar se Hasan Krasniqi duhet të shpjegojë rrethanat e kontraktimit të mjeteve të transportit nga klubet sportive dhe roli i tij në dijeninë ose jo të parregullsive në marrjen e vizave”, ka thënë ai.
Sipas avokatit Hamitaj, Krasniqi sapo ka mësuar për këto hetime nga autoritetet italiane, ka shfaqur vullnetin të paraqitet personalisht përpara autoriteteve të drejtësisë italiane dhe të shpjegojë rrethanat e tij në këtë ngjarje.
“Krasniqi nuk ka asnjë dijeni se si janë përfituar vizat për sportistët, nuk ka dijeni se në cilën konsullatë janë nxjerrë vizat dhe nuk ka pasur kontakt me asnjë sportist gjatë procesit të marrjes së vizave”, ka pretenduar avokati i tij.
Avokati Hamitaj ka insistuar se klienti i tij “nuk ka ndihmuar në nxjerrjen e vizave, nuk ka pasur dijeni se disa nga sportistët nuk kanë qenë pjesëtar të ekipeve sportive, nuk ka pasur dijeni për qëllimet e tyre, por shoqëria që i është ortak ka kryer transportin sipas licencës profesionale dhe kontraktimit nga klubi sportiv”.
Krasniqi, sipas avokatit të tij, nuk ka firmosur asnjë kontratë transporti dhe asnjë dokument që lidhet me veprimtarinë e Shpatturs shpk. Kontratat dhe çdo dokument tjetër i kësaj shoqërie është firmosur nga administratori i shoqërisë.
“Krasniqi është vënë në dispozicion të autoriteteve të drejtësisë italianë në mënyrë vullnetare dhe është i bindur se kjo situatë do sqarohet shumë shpejt”, ka thënë avokati.
Në vendimin që e ka siguruar gazeta online Reporteri.net, Gjykata e Qarkut në Kruystendil ka njoftuar se ndaj Krasniqit ekziston një urdhërarres evropian i lëshuar nga Italia në janar të këtij viti.
Sipas gjykatës bullgare, veprat e përshkruara gjithashtu cilësohen krime sipas Kodit Penal të Bullgarisë, për të cilat parashikohet dënimi me “burgim”.
Sipas Gjykatës, ai është akuzuar për tri vepra penale: lehtësimi i migrimit të jashtëligjshëm me bashkëpunim, përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare nga një person privat.