Leutrim Syla, avokati i familjes së Liridona Ademajt, ka deklaruar se i dyshuari për vrasjen e saj, Naim Murseli, ish-bashkëshorti i të ndjerës është një aktor.
Syla ka pohuar se Murseli ka aktruar që nga dita e parë, pra e vrasjes së Liridonës, e deri në ditën e sotme kur është duke vazhduar procesi hetimor ndaj tij, dhe tashmë e një javë i është nënshtruar ekzaminimit psikiatrik.
“Mbrojtja tenton të ndërtojë një alibi të tillë, pra ta ndërtojë gjatë rrugës një alibi që nuk është e vërtetë. Unë besoj se çdo kush objektiv i këtij procesi është i bindur se Naim Murseli është aktor, dhe jo vetëm unë”.
“Gjithë aktrimin e ka bërë deri tani, që nga dita e parë ka mundur ta varros Liridonën, dhe ka luajtur rol edhe para familjes, dhe i ka larguar mediat. Në ditën e ekzekutimit të Liridonës, ka qenë në gjendje të takohet me Kushtrim Kokallën në Gjakovë dhe të koordinohet me të për Granit Plavën dhe të blejnë armë. Po ashtu edhe të shkojnë në vendin ku do të ekzekutohej Liridona. Poashtu, Naimi është njoftuar edhe nga Granit Plava se ishte në restorantin ku do të dërgonte Liridonën dhe fëmijët të hanin darkë. Kanë qenë në koordinim me njëri-tjetrin”.
“Është shokuese vetëm kjo kur mendohet, se ka mundur të jetë në dijeni për të gjitha. Ai i ka hapur dritaren në makinë në pjesën e Liridonës, që në kohën kur do të afrohej Granit Plava ta ketë dritaren e hapur”, ka thënë ai për KlanKosova.