Të hënën më 10.06.2024, në ora 18:00, do të lansohet ekspozita “REPORTING HOUSE” .
Ekspozita hapet në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia”, në Prishtinë, objekt ky i cili për herë të parë shndërrohet në hapësirë kulturore. E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.
Pjesë e kësaj Shtëpie të Gazetarëve do të jetë edhe vetura e Vaughan Smith, kameramanit anglez nga Frontline Njus Television, veturë kjo të cilën ai e kishte përdorur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ky mjet i prodhuar më 1994, i njohur me nofkën ‘Snatch’ u përdor nga Vaughan në Sarajevë gjatë konfliktit në Bosnjë e Hercegovinë dhe e solli në Prishtinë në maj 1998. Ajo është goditur nga 11 plumba. Të gjitha goditjet e plumbave janë riparuar përveç njërit, që ende lë shenjë në xhamin e përparmë.
Smith e ka vozitur makinën e vjetëruar mbi 2000 km nga Anglia, pa drita, pa xhamëfshirëse funksionale dhe pa klimë për shkak se vetura ka dal prej përdorimit, vetëm për të arritur që ta bëjë pjesë të ekspozitës për publikun, të martën më 11 qershor. Makina do të shndërrohet në hapësirë galerie gjatë ekspozitës.