BallinaLajmeLIVE

Asnjë fjalë nga Kurti, Osmani e Basha për protestën në Hagë

Institucionet e Kosovës, përfshirë Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Presidenten Vjosa Osmani, Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, dhe funksionarë të tjerë shtetërorë, nuk e kanë thënë asnjë fjalë lidhur me protestën masive që u mbajt në Hagë të Holandës kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Përveç Kurtit, reagim nuk pati as nga eksponentët e tjerë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse kjo parti me vite ka mbajtur si flamur politik faktin që nuk kishte votuar për themelimin e kësaj gjykate. Një parti që sa ishte në opozitë, protestën e kishte kryefjalë të funksionimit të saj politik, sot zgjodhi heshtjen para protestës më të madhe shqiptare në Hagë.

I vetmi reagim nga VV erdhi prej deputetes Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, i cili po akuzohet nga Specialja për krime të pretenduara lufte. “Protestë e domosdoshme dhe në vendin e duhur! Shpreh mirënjohjen time dhe i falënderoj të gjithë qytetarët nga Kosova dhe nga mbarë bota që u bashkuan në Hagë, për të ngritur zërin kundër padrejtësive që po ndodhin”, shkroi ajo në Facebook.

Ndryshe nga heshtja e shtetit të Kosovës, protesta në Hagë u përshëndet hapur nga Tirana. Kryeministri Edi Rama, në prag të fillimit të saj, publikoi një reagim mbështetës: “Liria ka emër. Me zemër e mendje jam edhe unë atje sot Komandant. Liri për çlirimtarët”, shkroi Rama në Facebook, ku ndau edhe një video.

Mbështetje publike dha edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, i cili në rrjete sociale u rreshtua në krah të ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar protestën një akt të drejtësisë kundër padrejtësive të Speciales.

“Sot, në Sheveningen të Hagës, bashkë me mërgimtarë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, dëshmuam edhe një herë se liria jonë nuk gjykohet!”, shkroi ndër të tjera Ahmeti në Facebook.

Ndryshe, mijëra shqiptarë u mblodhën të dielën në Hagë të Holandës për të protestuar kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Me kërkesa për drejtësi, me flamuj kuqezi e parulla “Për UÇK-në”, ata shprehën pakënaqësinë ndaj procesit që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Protesta e së dielës në Hagë u mbajt pas asaj në Prishtinë më 7 gusht, ku dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën për të kundërshtuar Gjykatën Speciale, e në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Të hënën, në Hagë do të nisin dëshminë dëshmitarët e mbrojtjes. Ish-diplomati amerikan, James Rubin, do të jetë i pari që do të jap dëshminë në gjykatore.

Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button