Më 21 nëntor 2007, mori një telefonatë nga puna se duhet të marrë një dokument. Imer Shala i cili punonte në Burgun e Dubravës si oficer korrektues, u nis për të shkuar aty.
Mirëpo, 64-vjeçari nga fshati Penishtë e Istogut, nuk e dinte se atje do të arrestohej nga Njësia Speciale porsa të mbërrinte aty diku rreth orës 10:00.
Imer Shala po akuzohej se ka ndihmuar shtatë të arratisurit të udhëhequr nga Faton Hajrizi më 18 gusht 2007.
Shala e kujton atë ditë sikur ta përjetonte sot. Djalin 11 vjeç e kishte marrë me vete, pasi nga aty do ta dërgonte tek mjeku. Ai thotë se djali kishte mbetur i vetëm në veturë për orë të tërë, dhe babanë e tij e pa pasi doli me pranga të vendosura nga policia.
Shala akuzohej se kishte ndihmuar për arratisjen e grupit duke e futur një armë në burg, të cilën i burgosuri Faton Hajrizi do ta përdorte për t’i kërcënuar gardianët teksa arratisej.E këtë sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, e kishte bërë së bashku me Izet Haxhizekajn i cili punonte në një Njësi jashtë burgut.
Mirëpo, këto pretendime të prokurorisë të cilat edhe gjykata nuk ka arritur t’i vërtetojë i ka mohuar edhe vetë Imeri.Dyshimet kishin nisur për faktin se gardiani Imer Shala, kishte biseduar përmes telefonit me të burgosurin Faton Hajrizi disa ditë para se të ndodhte arratisja.
Shala nuk e ka mohuar se ka biseduar përmes telefonit, mirëpo një gjë e tillë në burg ka qenë e zakonshme, derisa ka mohuar se bisedat kanë pasur lidhje me futjen e armës në burg.Por, në vitin 2014, Imeri dhe të tjerët ishin liruar nga këto akuza në mungesë të provave. Kjo ishte bërë pasi Imer Shala kishte qëndruar në paraburgim për 1 vit e disa ditë.
Koha në paraburgim e la me trauma, të cilat edhe tash pas 18 vitesh akoma i vuan.Zhgënjimin më të madh e përjetoi pasi doli nga paraburgimi. Me shpresën se pasi gjykata i shpalli të pafajshëm do të ktheheshin për t’i ruajtur muret e burgut. Një gjë e tillë nuk ndodhi edhe pas gati dy dekada luftë me institucionet e shtetit.
Shala kishte punuar atë kohë për 158 euro rrogë, derisa për rrezikshmëri i kishte marrë 50 euro. Pasi ishte shpallur i pafajshëm kishte kërkuar që të kompensohet me dëmshpërblim.Ai ka marrë kompensim gati 5 mijë euro vetëm për pjesën sa ka qëndruar në paraburgim.
Derisa përmes avokatit të tij, Haxhi Millakut, Imeri kishte bërë padi për t’u rikthyer në vendin e punës më 2015, një vit pasi gjykata e kishte shpall jo fajtor.Por që nga ajo kohë deri sot ai ka mbetur i papunë në prag të pensionit duke u endur në dhomat e gjykatave për të kërkuar drejtësi.
Pritja për dëmshpërblim pas pasi kishte dalë nga burgu vazhdon edhe sot por pa ndonjë epilog gjyqësor.