Jo shumë kohë më parë, Granit Xhaka nga tifozët e Arsenalit shihej si fajtori kryesor për një rezultat negativ, por këtë sezon nuk është e njëjta gjë.
Xhaka tani është transformuar në njërin nga lojtarët kyç të Arsenalit, pasi trajneri Mikel Arteta vendosi ta lëvizë atë në një pozicionon më sulmues në mesfushë.
Pas këtij ndryshimi, Xhaka tani po tregon paraqitje fantastike me “Topçinjtë” ku edhe u votua lojtari më i mirë i muajit nga tifozët e Arsenalit.
Mbrëmjen e kaluar, kapiteni i Zvicrës shënoi golin e vetëm të ndeshjes në fitoren kundër PSV-së, dhe përsëri u votua si lojtari më i mirë i ndeshjes, dhe ky lajm e gëzoi Artetan.
“Ai e meriton atë. Ai është përballur me momente tejet të vështira, ai ka ngritur dorën kur kishte diçka ndryshe për të bërë, etika e tij e punës, mënyra se si është si person, mënyra se si i trajton të tjerët brenda klubit, dhe dashurinë që ka për klubin dhe profesionin, këto janë gjëra të padiskutueshme”, tha Arteta.
“Ai e meriton plotësisht atë dhe jam tejet i lumtur që po e shoh duke e shijuar karrierën e tij. Ne besuam që ai kishte kualitetet për t’i bërë këto gjëra, dhe ndonjëherë duhet të hapësh diçka në mendjen e lojtarëve dhe të jesh më i hapur e më i gatshëm për të gjitha gjërat”, shtoi më tej trajneri spanjoll.
Këtë sezon, Granit Xhaka ka arritur të paraqitet në 14 ndeshje në të gjitha garat për Arsenalin, duke regjistruar tre gola dhe tre asistime mbi emrin e tij.