Albion Rrahmani padyshim që është kryefjala e futbollit kosovar në javët e fundit.
Sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani, po shkëlqen me fanellën e Ballkanit në garat evropiane duke u bërë me 7 golat e tij edhe top golashënuesi i fazës kualifikuese të garës më të re evropiane për klube, “Europa Conference League”.
Talenti i sulmuesit 21 vjeçar është vënë re edhe në klubin e Malishevës aty ku ka shkëlqyer me paraqitjet e tij duke shënuar shumë gola në Ligën e Parë të Kosovës ku ndihmoi që skuadra të ngjitet në ligën elitare të futbollit kosovar, Superligën e Kosovës.
Ish trajneri i tij te Malisheva, Arsim Thaçi gjatë prononcimit për GazetaBlic Sport u shpreh krenar me arritjet e ish sulmuesit të tij duke potencuar se gjithmonë ka qenë i vetdijshëm për kualitetet e tij si sulmues.
Thaçi deklaroi se dëshmia më e mirë e talentit të tij ishte periudha që ishte nën urdhërat e tij te Malisheva ku ka shënuar 15 gola në 6 muaj për klubin e tij.
“Albion Rrahmani për 6 muaj nën urdhërat e mija ka shënuar 15 gola, kjo ishte dëshmia më e mirë e kualitetit të tij, isha i bindur që një ditë do të shpërthejë
Malisheva i ka ndihmuar shumë në rritjen e tij në karrierë, në pjesën individuale dhe krijimit të imazhit të tij. Kemi kontribuar për të qenë ky që është sot, por kontribuesi më i madh është vet ai me punën që ka bërë deri tani”, tha fillimisht Arsim Thaçi.
“Ndihem shumë mirë kur shoh lojtarë jo vetëm ata që kam stërvitur unë, por edhe të ligës së Kosovës duke shkëlqyer në Evropë. Cilësitë e Albion Rrahmanit pak me vonesë i ka parë trajneri i Ballkanit, por unë i kam besuar shumë atij”, shtoi Thaçi.
Trajneri kosovar megjithatë beson që transferimi i tij te Ballkani nuk ishte i qëlluar pasi Ilir Dajës iu desh kohë që të shoh cilësitë e tij të vërteta.
“Mendoj që ka bërë hap prapa në momentin kur ka shkuar te Ballkani, mirëpo tash trajneri e ka parë që Rrahmani është lojtar me vlera, që mund t’i ndihmojë ekipit, ku edhe e dëshmoi më së miri me paraqitjet e tij në “Conference League”, vazhdoi ai.
Duke folur për të ardhmen e tij, Thaçi deklaroi se është çështje kohe kur Rrahmani do të luajë për një klub të madh evropian nëse vazhdon me këtë ritëm.
Ai poashtu e cilësoi Rrahmanin si një potencial të mirë për Kombëtaren e Kosovës në të ardhmen.
“Normal nëse vazhdon me këtë ritëm, e ardhmja e tij është në një klub më të madh evropian, shpresoj që të ketë fat dhe të mos ketë lëndime. Për të arritur deri në atë nivel duhet ende punë, megjithatë me këtë ritëm e ardhmja e tij duket e ndritur. Shpresoj që të kemi sa më shumë lojtar të këtij niveli që të ndihmojnë klubet kosovare në garat evropiane.
“Duhet shumë punë për të luajtur në nivele shumë më të larta, sidoqoftë e shoh si potencial të madh për të ardhmen për Kosovën, ai duhet që të vazhdojë në liga më të mëdha për të arritur deri aty. Unë e uroj Ballkanin për këtë sukses pasi është në interes për të gjithë futbollin e Kosovës, në këtë mënyrë rritet cilësia e futbollit te ne. Në këtë drejtim mendoj që sa më shumë klube të arrijnë këtë sukses atëherë skuadrat do kenë më shumë të hyra dhe do ngritet koeficienti i Kosovës.
Kujtojmë që Ballkani mposhti Shkupin në udhëtim me rezultat 1-2, ku golat e fitores për Kampionët në fuqi të Kosovës i shënuan Albion Rrahmani dhe Meriton Korenica.
Ndeshja kthyese e Play Off-it mes Ballkanit dhe Shkupit luhet javën e ardhshme, aty ku skuadra kosovare ka rastin e artë të kualifikohet në grupet e Conference League.