Arrijnë dozat e para të vaksinave kundër COVID-19 nga SHBA-ja

Kanë arritur dozat e para të vaksinave kundër COVID-19 nga Amerika në Kosovë.

Të pranishëm ishin ambasadori Kosnett, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti.

Pranimi i këtij kontigjenti të vaksinave po bëhet në oborrin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Kontigjenti përfshin 35 mijë doza të vaksinës Pfizer nga programi Covax dhe do të jenë në shërbim të institucioneve shëndetësore në Kosovë menjëherë në fazën e vaksinimit masiv të popullatës.

Ambasadori i ShBA-së Philip Kosnett, tha se vaksinat janë dërguar përmes programit Covax dhe janë pjesë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara për të luajtur një rol udhëheqës në luftën për t’i dhënë fund pandemisë kudo në botë.

Ai është zotuar edhe për dhurimin e kontingjenteve të tjera të vaksinave për Kosovën.

“Sa më shumë vaksina është forma e shpëtimit, kudo në botë dhe këto vaksina janë ndihmë për të përballuar me lehtë këtë pandemi. Vaksinimi funksionon vetëm nëse njerëzit vendosin të vaksinohen, vaksina të tjera do të vijnë”, tha Kosnett.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, fillimisht foli për mungesën e vaksinave në Kosovë, duke shpjeguar se ka bërë kërkesë për presidentin amerikan Joe Biden.

Ajo ka ripërsëritur se vaksinimi është akti më patriotik në këtë kohë, duke shtuar se ky donacion dëshmon miqësinë ndërmjet të dy shteteve dhe iu referua fjalës së urtë popullore “Miku i mirë në ditë të vështirë”.

“E kam ditur se Biden do ta ndihmonte dhe morëm përgjigje për mbi 500 mijë vaksina, kontingjenti po e pranojmë sot, edhe të tjerat do të vijë shumë shpejt shpresoj. Kjo dëshmon miqësinë, ‘Miku i mirë shihet në ditë të vështirë’, faleminderit të gjithë atyre që kontribuuan që vaksinat të jenë këtu’. Nuk mjafton vetëm arritja e vaksinave, vaksinimi është akti më patriotik i kësaj kohe, secili duhet të vaksinohet. Kjo është gjëja më e duhur”, tha Osmani.

“Vaksinimi është shans për të ngadhënjyer kundër virusit, të shpëtojmë jetë, ta shpëtojmë ekonominë tonë, ta shpëtojmë ekonominë tonë”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se këto vaksina të dhuruar do të administrohen për një ditë e gjysmë dhe se brenda vitit do të imunizohen 60% e popullatës.

Ai ka shtuar se Kosova është mirënjohëse për ndihmën e ShBA-së për ta luftuar Covid-19, raporton EO.

“Me 28 mars të këtij viti ne ishim në Aeroport kemi pranuar kontingjenti e parë, tani po pranojmë kontingjentin prej mbi 35 mijë vaksina nga Amerika. Jemi mirënjohës për këtë ndihmë, falënderojë të gjitha që po dhurojnë për përkrahjen e dhënë në një periudhë të vështirë”, tha Kurti.

“Me ritmin e vaksinimit dozat e pranuar sot do të administrohen brenda një dite e gjysmë, deri tash janë dhënë mbi 600 mijë vaksina. Brenda vitit do të imunizohen 60% e popullatës. Të tregohemi të kujdesshëm duke respektuar masat dhe të vaksinohemi, kjo është rrugëdalja. Të ruajmë jetën e secilit”, deklaroi Kurti.

Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së, Ulricke Richardson tha se tashmë varianti Delta po përhapet shpejtë dhe se mënyra më e mirë është vaksinimi për mbrojtje nga pandemia.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë shënuar katër viktima dhe 2 mijë e 250 raste të reja me COVID-19.

Reklama