Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me Sindikatën e Re të KEK (SR-KEK), pas një takimi që thotë se e zhvilloi ditën e djeshme.
Të shtunën, SR-KEK, pas një mbledhjeje me punëtorët, njoftoi se ata do të hyjnë në grevë më 20.11.2024.
Ky vendim u tha se vjen pasi, sipas drejtuesve të sindikatës, nuk u morën parasysh as protesta e 24 tetorit për rritje pagash e kushte më të mira pune, si dhe ultimatumi deri më 8 nëntor për të njëjtat arsye.
Menaxhmenti i KEK-ut tha se ka mirëkuptuar kërkesën e përfaqësueseve të punëtorëve, teksa u shpreh se me synim të përmirësimit të mirëqenies së tyre, “ka propozuar dhënien e një bonusi prej 200 eurosh për fundvit dhe rritje të pagave prej 50 eurosh për të gjithë punëtorët, me efekt nga muaji janar 2025”.
KEK-u tha se në takim, sindikata është njoftuar mbi sfidat dhe përballjet që do të ketë KEK-u në periudhën e ardhshme, ndërsa ka thënë se, sipas marrëveshjes, do të ndërpritet çdo aktivitet sindikal
“Në një reagim të shpejtë, Kryesia e SR-KEK, sot gjatë ditës pas shqyrtimit të çështjes me këshillin grevist, ka mirëkuptuar pozitat e menaxhmentit dhe ka vendosur të pajtohet me këtë propozim. Gjithashtu, ata kanë vendosur të ndërpresin çdo aktivitet sindikal të paralajmëruar më parë, duke shfaqur një qëndrim të matur dhe të orientuar drejt stabilitetit dhe zhvillimit të mëtejshëm të korporatës”.
“Ky është një hap i rëndësishëm për të ruajtur bashkëpunimin midis menaxhmentit të KEK-ut dhe sindikatës, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për të balancuar sfidat financiare dhe realizimin e projekteve të rëndësishme për sektorin energjetik të Kosovës”, tha KEK-u.
Korporata njoftoi se janë disa “projekte madhore” që janë të planifikuara për implementim, “si revitalizimi (modernizimi i turbinave) dhe ndërtimi i elektrofiltrave dhe DeNOx-it në dy njësitë e TC-B-së, revitalizimi i një njësie në TC-A dhe investimeve në teknologjinë e minierës”.
Këto projekte, tha KEK-u, janë të rëndësishme e të cilat, sipas tyre, “natyrisht do të ndikojnë në përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e kapaciteteve të e prodhimit”.