Hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, kanë arrestuar një burrë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “tregti e ndaluar”. Personi, për policinë ka qenë edhe më parë i njohur për përfshirje në veprimtari penale.
Gjatë trajtimit të rastit, policia në koordinim me prokurorinë, kanë kryer kontrolle në shtëpinë e të dyshuarit B.M., (viti i lindjes 1990, mashkull kosovar).
Gjatë kontrollit të shtëpisë, policia ka gjetur:
– 161.485 euro,
– 2320 franga zvicerane,
– 2300 dollar amerikan,
– 80.850 denar maqedonas,
– 696 kilogram mjaltë (produkt i dyshimtë pa prejardhje),
– 250 kilogram fasule (pa prejardhje),
– Një pushkë e gjatë (pushkë ajrore),
– Një revole,
– Një veturë dhe
– Një telefon.
Për rastin me mallin e kontrabandë (mjalt dhe fasule), është ftuar për trajtim njësia e Doganës së Kosovës.
“Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti, nën dyshim për përfshirje në veprat penale: ‘tregti e ndaluar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave’. Pas intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, me aktvendim nga prokurori kompetent, i dyshuari dërgohet në ndalim prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e policisë.