Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar të dyshuarin B.DJ (42-vjeç), nën dyshimin se në dy raste të ndara ka kanosur dy persona në Komunën e Leposaviqit.
“Në rastin e parë, më datë 26.05.2023, viktima femër kosovare serbe kishte raportuar se ndjehet e kërcënuar nga i/të dyshuar meshkuj Serb. Viktima po ashtu ka potencuar se nga një i dyshuar mashkull serb ka pranuar një mesazh kërcënues si dhe sipas saj ka parë person/a të maskuar, me gurë, duke bërë lëvizje për rreth zonës ku e njëjta jeton”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, në rastin e dytë më 5 qershor 2023, viktima (serb) ka raportuar se ishte kanosur me fjalë kërcënuese përmes telefonit nga i dyshuari.
“Lidhur me rastet është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari B.DJ., (1981), mashkull kosovar serb ndaj të cilit të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.