Policia e Shtetit ka bërë të ditur se sot e ka arrestuar një 36-vjeçar me inicialet A.M. pasi dyshohet se ka grabitur mjete elektronike (televizor dhe kompjuter), në subjektin politik të “Partisë Demokratike”, në Cërrik.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se më pas u arrestua për të njëjtin rast edhe një 46-vjeçar me inicialet K.Z.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjes së ndodhur, në Cërrik, në subjektin e marrë e me qira për qëllime elektorale, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të rastit shtetasin: A. M., 36 vjeç, banues në Cërrik”.
“Gjithashtu, në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit K. Z., 46 vjeç, për veprën penale ‘Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale’. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi A. M., gjatë mesnatës, ka vjedhur në ambientin e marrë me qira (lokal) me qëllime elektorale, 1 kompjuter dhe 1 televizor dhe i ka shitur kompjuterin e vjedhur shtetasit K. Z.”, thuhet në njoftim.
PSh shton se janë sekuestruar gjësendet e vjedhura, dhe iu lan në ruajtje subjektit politik, që i zotëronte.