Qeverisë se Kosovës po i kërkohet që të veprojë dhe të trajtojë me urgjencë çështjen e kërkesës së Serbisë për arrestimin e ish-ushtarëve të UÇK-së, përmes Interpol-it, raporton Gazeta Demos.
Të hënën është raportuar se shteti fqinj sërish e ka dërguar edhe një listë tek autoritetet e Maqedonisë së Veriut, për t’i arrestuar dhjetëra ish-pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes INTERPOL-it, në të cilën bënin pjesë edhe zyrtarë aktual të Policisë së Kosovës.
Njëri nga ta ishte edhe koloneli i Policisë së Kosovës, Lumni Graishta, i cili ka qenë pjesë e UÇK-së.
Sipas njohësit të çështjeve politike, Visar Xani, Kosova duhet të trajtojë me emergjencë dhe në nivelin më të lartë politik.
“Kosova duhet të trajtojë me emergjencë dhe në nivelin më të lartë politik me qëllim që ish ushtarët e UÇK-së mos të pësojnë me akuza politike dhe me akuza të montuara që po bën Beogradi, që ka për qëllim t’i shfrytezojë në aspekt politik dhe të presionit ndaj Kosovës”, tha Xani për Gazetën Demos.
Sipas tij, Serbia është duke e shfrytëzuar Interpolin për shkak se mungesa e Kosovës në këtë mekanizëm të sigurisë.
“Mungesa e Kosovës atje është humbje e madhe. Po e trajtojmë me emergjencë dialogun për shkak se marrëveshja e Brukselit apo plani Franko-Gjerman, parasheh anëtarësimin e Kosovës në Organizatat Ndërkombëtare dhe anëtarsimi i Kosovës në Interpol do ta përfundonte këtë problem dhe do t’i mundësonte Kosovës qasje më shumë dhe Serbia të mos mund të veprojë, por edhe Kosova ka fakte dhe posedon listë të kriminelëve serb dhe t’i plasojë në Interpol dhe pastaj kjo list të mund të përdoret. Serbia e ka përparsinë për shkak se është anëtare e Interpolit”, shtoi ai.
Sipas tij zgjedhja e duhur është që Kosova të vazhdojë takimet me ndërkombetarët.
“Kosova duhet të vazhdojë takimet me shtetet e rajonit sepse një listë politike nuk duhet të zbatohet nga Interpoli, sepse lista dhe keta persona, Serbia i ka të hartuara nga aspekti politik dhe jo nga aspekti i të bëmave reale që ngarkohen këta ish-pjesëtarë të UCK-së”, ka potencuar ai.
Edhe ish-diplomati, Blerim Canaj, thotë se institucionet duhet të bashkëpunojnë me shtetet partnere për të mos u zbatuar kërkesat e Serbisë për arrestimin e ish-ushtarëve të UÇK-së.
“Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë funksionimin e njëjtë sikur edhe qeveritë e kaluara, përkatësisht këtë temë ta trajtoj përmes bashkëpunimit me shtetet me ndikim”, tha Canaj.
I njejti tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë inekzistente, duke kritikuar kryeministrin Albin Kurti se i mungon interesimi për zgjidhjen e këtij problemi.
“Marredheniet me Serbine sikur që e dimë janë inekzistente. Këto lista, natyrisht që ndikojnë shumë në mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve, diçka që është edhe qëllim i dialogut. Pra, kjo ndikon në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo është edhe një arsye e madhe pse qeveria e Kosovës duhet të adresojë këtë problem në institucionet gjegjëse të BE-së. Por pastaj shtrohet pyetja se sa është i interesuar kryeministri i Kosovës që të zgjidhet ky problem, kur tanimë dihet botërisht që ai gjithmonë ta heq nga skena politike „luftën“ siç duket të jetë shprehur ai në nje darke të mëhershme me akterë politik maqedonas, pastaj këtë e thellon edhe me shumë fakti që Kurti në ekipin e tij ministror ka ministër që është deklaruar publikisht për „dëshmi“ te dërguara në Hagë e të cilat mund të kenë qenë vetëm të rrejshme”, ka shtuar tutje Canaj.
Rasti i fundit i arrrestimeve të ish-ushtarëve të UÇK-së, me kërkesë të Serbisë, ishte Blerim Ramadani, i cili u ndalua nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, derisa po kalonte pikën kufitare me Kosovën.
Në fund të javës që shkoi, Ramadani u lirua me kusht, për të qëndruar në Maqedonin e Veriut deri në një vendim tjetër. /GazetaDemos