Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka deklaruar se sa herë e kalon kufirin e Serbisë ndalohet dhe mbahet nga zyrtarët kufitarë serbë.
Në një postim në Facebook, ajo është shprehur se ndalimi i saj nuk është një rastësi, por është në kuadër të një listë të zezë, sipas saj, të cilën e ka krijuar zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vullin.
“Diskriminim i vazhdueshëm në kufi dhe përndjekje nga lista e Vullinit. Si përfaqësuese e shqiptarëve në Preshevë dhe si kryetare e Preshevës, sa herë kaloj kufirin, ndalohem dhe mbahem pa asnjë arsye të justifikueshme, me raste edhe deri në një orë. Ky trajtim është i papranueshëm dhe është një formë e qartë presioni dhe diskriminimi”, tha ajo.
Diskriminim i vazhdueshëm në kufi dhe përndjekje nga lista e Vulin
Si përfaqësuese e shqiptarëve në Preshevë dhe si kryetare e Preshevës, sa herë kaloj kufirin, ndalohem dhe mbahem pa asnjë arsye të justifikueshme, me raste edhe deri në një orë. Ky trajtim është i papranueshëm dhe është një formë e qartë presioni dhe diskriminimi.
Tashmë zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka pranuar hapur krijimin e një “liste të zezë – blacklist” të individëve të konsideruar të padëshiruar nga qeveria serbe. Kjo listë jo publike, besohet se përfshin emra të atyre që kundërshtojnë politikat e qeverisë, veçanërisht në lidhje me pakicat etnike dhe disidentët politikë.
Është e qartë që kjo nuk është një rastësi, por një përndjekje e orkestruar, e lidhur ngushtë me listën famëkeqe të Vulin, ku individë të padëshiruar për të dhe zëra të guximshëm për të drejtat e shqiptarëve gjenden në shënjestër të shtetit.
Kjo listë është krijuar për të frikësuar dhe heshtur ata që guxojnë të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve.
Por, asnjë formë presioni apo përndjekjeje nuk do të më ndalojë të vazhdoj punën time për të drejtat dhe dinjitetin e popullit tim. Kjo është një betejë për të gjithë ne, dhe unë jam më e vendosur se kurrë për të vazhduar.