Gjykata e Apelit ka refuzur si të pabazuara ankesat e mbrojtjes së të dyshuarve, ndërsa ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin 22 të arrestuarve në aksionin “Qielli i thyer” u ishte caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin për trafikim me drogë në rajonin e Gjilanit, Prizrenit dhe Pejës.
“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, i ka refuzuar si të pabazuar ankesat e mbrojtësve së të pandehurve R.N., A.K., R.B., A.I., A.Gj., E.I., Sh.B., A.V., B.Sh., E.E., R.V., R.B., A.R., E.B., A.M., K.D., O.V., L.T., K.B., K.A., Y.M. dhe S.L., ndërsa ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PPPS.nr.50/2024, të datës 04.06.2025”, thuhet në njoftimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Themelorja me aktvendimin e 4 qershorit 2025 të pandehurve ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas Dosjes së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të publikuar nga “Betimi për Drejtësi“, të dyshuar në këtë rast për të cilët Prokuroria filloi hetimet me ndihmën e bashkëpunimit me EUROPOL-in, janë: Rexhep Nikqi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Vuçetaj, Erduan Ismaili, Shemsi Bahtiri, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdik, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy dhe Ylli Musliu.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të lartpërmendurit nga fillimi i 2019-ës deri më 3 qershor 2025 duke qenë pjesë e një grupi kriminal të organizuar që merret me trafikimin e lëndëve narkotike si kokaina, heroina e marihuan, nga Shtetet e Amerikës së Jugut, Iranit dhe Turqisë për në Kosovë, kanë kryer vepra penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, me qëllim të përfitimeve financiare për vete.
Sipas kërkesës, thuhet se këta persona dyshohet që aktivitetin e tyre kriminal e kanë realizuar fillimisht duke aranzhuar porositë e narkotikëve në shtetet në fjalë dhe pastaj përmes pjesëtarëve të grupit janë siguruar që ato t’i fshehin nëpër kontejnerë për bartjen e mallrave të ndryshme, përmes anijeve transportuese, kamionëve dhe veturave të pajisura me bunkerë.
Aty thuhet se në këto vetura të pajisura me bunkerë janë kamufluar vende të posaçme të rregulluara ekstra për fshehjen e narkotikut.
Veç kësaj, thuhet se kjo porosi e aranzhuar nga vendet e jashtme është sjellë në Kosovë përmes rrugëve tokësore dhe porteve detare nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Prokuroria thotë se si pjesë e procesit, këta pjesëtarë të grupit e bëjnë përzierjen e narkotikut me sodë bicarbonat dhe përzierës të tjerë me qëllim të shtimit të peshës dhe më pas e paketojnë sërish.
Në kërkesë thuhet se këta narkotik sërish kamuflohet nëpër mjete të transportit dhe e transportojnë duke e shitur tek blerës në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, Gjermani, Zvicër dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian. Ndërsa, një pjesë e kësaj lënde shitet edhe në Kosovë.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë arritur të përfitojnë miliona euro përfitim pasuror të kundërligjshëm, për çka dyshohen se kanë kryer edhe veprën penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277, par.1 i Kodit Penal, lidhur me veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, thuhet se mjetet e fituara nga ky aktivitet kriminal, të dyshuarit një pjesë i kanë transferuar nëpër biznese të ndryshme të themeluara nga vetë të pandehurit dhe personat e tjerë, ndërsa një pjesë të tyre e konvertojnë në prona të luajtshme dhe të paluajtshme (toka, shtëpi, vetura, banesa etj). Sipas Prokurorisë, kjo është bërë për fshehje dhe maskim të natyrës dhe burimit të vërtetë të kësaj pasurie.
Por si arriti Prokuroria deri tek kapja e 22 personave që dyshohen se tregtonin drogë nga jashtë?
Prokuroria në kërkesë thekson se gjatë viteve 2024 dhe 2025 ka pranuar një pjesë të transkriptave të përgjimeve të Sky ECC të siguruara nga Franca përmes EUROPL-it dhe Belgjikës. Këto raporte, janë siguruar përmes bashkëpunimit të Kosovës me EUROPOL-in dhe bashkëpunimin juridik ndërkombëtar me Francën.
Në këtë kërkesë, thuhet se Franca, Holanda dhe Belgjika kanë kryer hetim të gjatë të njohur si rasti “Limit”. Ata në vitin 2021 përmes operacioneve policore, krahas drogës kanë arritur të gjurmojnë dhe konfiskojnë edhe serverët e SkyECC dhe pas dekriptimit të të dhënave është parë e nevojshme që në operacione të tilla të inkuadrohen edhe vende të tjera.
Një prej vendeve ka qenë edhe Kosova e cila është inkuadruar në analizimin e të dhënave për përdoruesit nga këtu dhe bashkëbiseduesve të tyre. Si rrjedhojë, informatatat e mbeldhura i ishin dërguar Prokurorisë Speciale dhe Policisë.
Fillimisht, Prokuroria kishte nisur hetim ndaj Kujtim Nezirajt, Ardian Mazrekajt dhe Edin Berishës, dhe më pas nga raportet analitike është parë e nevojshme që të zgjerohet hetimi edhe ndaj pjesëtarëve të tjerë të grupit.
Ndryshe, më 19 qershor i është caktuar masa e paraburgimit edhe një të dyshuari tjetërpër krim të organizuar lidhur me shitblerje të narkotikëve në aksionin e njohur si “Qielli i thyer”.