Opinioni në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i mbushur plot me akuza për ish-presidentin Hashim Thaçi, ka detyruar ASHAK-un që të mblidhet me urgjencë.
Opinioni i Krajës i publikuar në emër të Akademisë, që u kundërshtua nga anëtarët e tjerë, ka bërë që ASHAK të mblidhet sot në orën 12:00.
Një përgjigje, por jo edhe qëndrim për opinionin skandaloz të Krajës e ka kthyer akademiku Isa Mustafa.
Mustafa nuk ka pranuar të prononcohet, duke thënë se qëndrimin e tij do ta paraqesë në Akademi.
“Do të jetë një takim në Akademi, ku do ta diskutojmë këtë çështje”, ka thënë shkurtër Mustafa për Demokracinë.
Opinioni ku Kraja e akuzonte ish-presidentin Hashim Thaçin, duke ia veshur rolin e “ndarësit të Kosovës” ishte publikuar më 22 nëntor në AShAK, gjë që nxiti debat në shoqërinë tonë. Në opinionin personal të Krajës, që publikut iu plasua si qëndrim i ASHAK-ut, pretendohet se ideja e ndarjes së Kosovës përmes shkëmbimit të territoreve u përcoll nga Thaçi mu pas themelimit të Gjykatës Speciale, sipas tij “për ta shpëtuar veten”.
Madje, ASHAK-u e vendosë edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama në këtë plan, ngase sipas tyre ky i fundit donte të paraqitej “si lider duke u frikësuar mos po mbetet prapa”.
E akademiku, dje e ka ndryshuar analizën e tij, duke hequr shumë akuza.