Agon Maliqi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare ka komentuar deklaratën e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth se nuk e sheh si realiste që marrëveshja e negociuar mes Rusisë dhe Ukrainës të çojë në anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe as rikthimin e saj në kufijtë e vitit 1991.
Maliqi ka thënë se ky deklarim publik është zyrtarizim i ndryshimit të kursit nga administrata e re amerikane në politikën ndaj Ukrainës dhe është në përputhje me frymën e tërheqjes së SHBA si “subvencionuese” e sigurisë evropiane.
Ai ka përsëritur deklaratën se tanimë është në rrezik serioz prezenca e KFOR-it amerikan në Kosovë.
“Kjo frymë realiste shumë shpejt do të reflektohet edhe në politikën e SHBA në Ballkan ku – po e përsëris – është në rrezik serioz prezenca e KFOR-it amerikan”, ka shkruar Maliqi.
Sipas Maliqit, Kosova me qasjen e vet nuk po ju jep argumente miqve të vet për mbështetje.
“Nga përbërja e re e qeverisë së re të Kosovës dhe nga kursi i saj politik do të varet shumë nëse Kosova do të jetë palë në tavolinë të diskutimeve në Uashington apo do të jetë subjekt diskutimi i asaj tavoline. E njëjta gjë vlen edhe për në vendet e BE, ku kapitali politik i Kosovës është më i vogël. Pesha e këtyre zgjedhjeve dhe e kësaj qeverie që do të krijohet është historike për sigurinë kombëtare”, ka shkruar ai.