Ambasada e ShBA-së në Sarajevë ka paralajmëruar se do të reagojnë nëse në Bosnje Hercegovinë do të ketë sërish shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit. Ky reagim vjen pas reagimeve se do të festohet 9 janari si Dita e Republikës Sërpska.
Në reagimin e ambasadës thuhet se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë Hercegovinës e ka bërë të qartë në vendime të shumta se festimi i Ditës së Republikës Sërpska më 9 janar është jokushtetues.
Tutje, deklarohet se çështja nuk është festimi i festës, por vendimi për ta bërë këtë më 9 janar. Lidhja e përkujtimit me një festë fetare ortodokse shkel disa dispozita të Kushtetutës së Bosnjës që ndalojnë diskriminimin. Kjo është çështje ligji, jo opinion.
“Neni III (3) i Kushtetutës së Dejtonit kërkon që entitetet të respektojnë plotësisht vendimet e institucioneve të BiH, duke përfshirë vendimet përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të BiH. Mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BiH përbën një vepër penale sipas Kodit Penal të BiH. Edhe kjo është çështje ligjore, jo opinion”.
“Pritjet e Shteteve të Bashkuara janë që autoritetet përkatëse të zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore të hetojnë çdo shkelje të ligjit që ndodh në lidhje me festimin e Ditës së Republikës Sërpska më 9 janar. Shtetet e Bashkuara kanë vepruar për të adresuar veprimet anti-Dajton si ky në të kaluarën dhe nuk do të hezitojnë ta bëjnë këtë përsëri në të ardhmen”.