SHBA-të i kanë kërkuar presidentit kinez, Xi Jinping që të bëjë presion ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, për t’i ndalur “krimet e luftës” që po kryhen nga Rusia në Ukrainë.
Të dy do të takohen sërish të martën për bisedime zyrtare gjatë vizitës së parë të Xi në Moskë që nga pushtimi.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë i bëri thirrje Xi-së që t’i kërkojë homologut të tij rus të tërheqë trupat nga Ukraina.
John Kirby ka deklaruar se kërkimi i një armëpushimi nuk mjafton.
“Ne shpresojmë që presidenti Xi do të bëjë presion ndaj presidentit Putin që të ndalojë bombardimet e qyteteve, spitaleve dhe shkollave të Ukrainës, të ndalojë krimet e luftës dhe mizoritë, dhe të tërheqë trupat e tij”, ka thënë Kirby.
Putini ka thënë se do ta diskutojë një plan prej 12 pikash të propozuar nga Xi-ja për të “zgjidhur krizën akute në Ukrainë”./BBC/