Përfaqësuesi i Kosovës në Bruksel për raporte me NATO-n, Astrit Zemaj, ka takuar ambasadoren e Ukrainës në NATO, Galibarenko Nataliia.
Zemaj ka thënë se kanë biseduar për fuqizimin e lidhjeve mes dy shteteve, duke nënvizuar përkushtimin për bashkëpunim dhe paqe.
“Sot isha i nderuar me pritjen e veçantë në Misionin e Ukrainës në NATO nga strukturat civile dhe ushtarake, si dhe me takimin e frytshëm të punës me ambasadoren Nataliia Galibarenko dhe stafin e saj. Së bashku diskutuam për forcimin e marrëdhënieve në mes të misioneve dhe shteteve tona, me theks të veçantë rreshtimin dhe kontributin e tonë shumëdimensional për Ukrainën dhe popullin e saj në luftë kundër agresionit të Rusisë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka thënë se ambasadorja ukrainase ka vlerësuar lartë mbështetjen e Kosovës.
“Kontributi dhe mbështetja e vendit tonë që nga fillimi duke përfshi edhe mbështetjen ushtarake, operacionet për trajnim në sektorin e deminimit si dhe angazhimi ynë në kuadër të Grupit të
Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës se bashku me Aleatët dhe Partnerët, NATO dhe BE-në, vlerësohen lartë dhe është shprehur mirënjohje e thellë. Republika e Kosovës së bashku me Aleatët dhe
Partnerët qëndron fuqishëm në mbështetje të vlerave të përbashkëta euroatlantike, paqes dhe sigurisë në Evropë dhe me gjerë”, ka shkruar ai.