Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka ritheksuar edhe një herë përkushtimin e shtetit të tij për të ndihmuar gjatë vitit 2025 në gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund problemit mes Kosovës dhe Serbisë.
Diplomati britanik thekson nevojën për veprime të guximshme nga liderët e të dyja shteteve për t’i dhënë epilog çështjeve të pazgjidhura. Hargreaves ka deklaruar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është qendror për marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe se përbën çelësin për të zhbllokuar edhe detyrimet e vetë Serbisë.
Ai ka shprehur bindjen e tij të plotë se Kosova duhet t’u besojë aleatëve të saj kur ata kërkojnë themelimin e Asociacionit dhe ka theksuar se për progresin e Kosovës drejt organizatave ndërkombëtare ku dëshiron të anëtarësohet, nuk ka zëvendësim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Lidhur me veprimet në veri të ndërmarra kohët e fundit nga Kosova, ambasadori britanik ka deklaruar se shteti i tij njeh të drejtën e Kosovës për t’u mbrojtur nga sulmet dhe për të pasur pritshmëri që të gjithë njerëzit që jetojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës t’u përmbahen ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës.
Megjithatë, Hargreaves ka rikujtuar gjithashtu se është thellësisht në interesin e Kosovës që të gjithë ata që jetojnë në Kosovë të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur. Ai ka potencuar se veprimet e befasishme të Kosovës në veri, si ai për përdorimin e dinarit, nuk kanë ndihmuar gjithmonë në sigurimin e serbëve se mirëqenia e tyre në do të jetë e mbrojtur në Kosovën e re moderne.