Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë ka nderuar figurën e regjisorit të madh Dhimitër Anagnosti, duke hapur librin e ngushëllimeve pas ndarjes së tij nga jeta më 1 shtator.
Në fjalën e tij, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, u shpreh se ndarja nga jeta e Anagnostit është një humbje e madhe për kulturën dhe shoqërinë shqiptare.
“Shoqëria shqiptare, kineastët, aktorët, populli shqiptar ka humbur një prej korifejve, një prej atyre që e qëndisnin filmin shqiptar. E njoh si një metodist i mirëfilltë, si një regjisor shkolle plot për artin kinematografik. Parapëlqeja tek ai atë momentin e punës së jashtëzakonshme që ai e bënte me aktorët, por mbi të gjitha, kemi humbur personin i cili sillte në ekran karakterin e plotë të shqiptarëve. Me filmat e tij, ai e zbërthente jetën shqiptare në tërë koloridin e vet dhe ka arritur ta përcjellë shkëlqyer këtë te publiku, filmi i tij ka ushtuar fort”, tha Malaj.
Dhimitër Anagnosti mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, i vlerësuar për veprat që pasqyruan jetën, karakterin dhe shpirtin e shqiptarëve në ekranin e madh.