Një aksident me fatalitet ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Hodonoc të Kamenicës.
Njëri furgon e tjetra veturë e tipit Fiat, u përplasën mes vete derisa në vendngjarje pësoi një familje që dyshohet se po shkonin mysafirë. Burri 33-vjeçar vdiq në vendngjarje, derisa gruaja e foshnja e tyre një vjeçe u lënduan rëndë, njofton Klan Kosova.
Pa plagë kërcënuese nuk shpëtoi as vozitësi 20-vjeçar i mjetit tjetër. Që të tre u dërguan në emergjencën e Gjilanit por për shkak të lëndimeve të rënda, fraktura në kokë e pjesë të gjymtyrëve, u dërguan menjëherë për në Klinikën Emergjente të QKUK-së.
“Fëmija një vjeç në gjendje kritike, një paciente e datëlindjes 1990, po ashtu në gjendje kritike. Pacienti (2003) në gjendje të rëndë”, thanë në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.
33-vjeçari që vdiq të premten është viktima e pestë për dy ditë në vend si pasojë e aksidenteve të rënda.