Një aksident i rëndë ka ndodhur sot, ku dy motorristë të një kompanie janë përplasur mes vete, ndërsa njëri prej tyre është përplasur më pas me një veturë. Një qytetar, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes dhe tentoi të ndihmonte të aksidentuarin, ka ngritur shqetësimin për sigurinë e punëtorëve që përdorin motoçikleta në punë.
Sipas tij, është alarmante që helmeta e njërit prej të aksidentuarve ka dalë nga koka gjatë aksidentit, gjë që ngre dyshime mbi cilësinë e pajisjeve të sigurisë.
“Aksidenti ndodhi para shumë dëshmitarëve. Nuk kam asgjë kundër kompanisë apo askujt, por si motorrist e di sa e rrezikshme është kjo mënyrë e vozitjes. Autoritetet duhet të ndërhyjnë urgjentisht për të parandaluar tragjeditë,” ka deklaruar ai.
Qytetari i bën thirrje Policisë dhe Inspektoratit të Punës të marrin masa për sigurinë e këtyre punëtorëve, pasi mënyra e vozitjes së motorristëve në trafik është shqetësuese dhe mund të çojë në pasoja edhe më të rënda.
Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet ose kompania në fjalë.