AKB e OEK për shtrenjtimin e rrymës: Bizneset po largohen nga Kosova, ndërsa qytetarët po varfërohen

Njohës të rrethanave ekonomike vlerësojnë se shtrenjtimet e rrymës elektrike po shkaktojnë pasojat serioze si ndër biznese, ashtu edhe ndër qytetarë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, dhe ish –kryetari Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thanë se bizneset po largohen nga Kosova, ndërsa qytetarët po varfërohen.
“ZRRE-ja është dëshmuar se nuk është e drejtë me të gjithë operatorët ekonomikë të Kosovës dhe vendimet e saj e kanë dëmtuar rëndë ekonominë, prodhimtarinë, shërbimet vendore, kanë ngritur çmimet për arsye të ngritjes së çmimit të energjisë elektrike për operatorët ekonomikë më të fuqishëm që ka Kosova. Tani e ka zvogëluar forcën konkurruese me energji elektrike, ka ndikuar që bizneset të tentojnë të gjejnë në Ballkan vende më të lira të energjisë elektrike, ndërsa disa e kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.
Të gjitha këto manipulime që tenton të bëjë ZRRE-ja janë të paqëndrueshme për arsye që kjo ka arritur qëllimin: ka shtrenjtuar energjinë duke e bërë më të shtrenjtën në Ballkanin Perëndimor, do ta shtrenjtojë prapë në vjeshtë dhe me siguri që dimri do të na zë me një çmim mbi 30 për qind më të shtrenjtë. Kjo do të rëndojë dukshëm shportën konsumuese të qytetarëve të Kosovës dhe të bizneseve. Dhe bizneset nuk e kanë alternativë të vetme të mbesin në Kosovë, por po shikojnë ta bartin kapitalin e tyre jashtë Kosovës”, tha Shahini.
Ai paralajmëroi se rritja e çmimeve që po detyron bizneset të zhvendosin kapitalin jashtë vendit po ndikon në rritjen e papunësisë.
“Ne kemi biznese të investitorëve të huaj që kanë larguar dhjetëra punëtorë pas vendimit të ZRRE-së, kemi biznese vendore që po e bartin prodhimin jashtë Kosovës. Gjendja është duke u rënduar, kjo më së miri na tregon se sa kompani të reja prodhuese janë hapur brenda kësaj periudhe. Bizneset do të shtrenjtojnë dhe i kanë shtrenjtuar prodhimet e veta, disa i kanë reduktuar punëtorët, po ashtu edhe numri i eksporteve do të bjerë, sepse konkurrenca është më e dobët dhe do të rritet numri i importeve. Mesatarisht do të shkojë importi mbi 7 miliardë euro, që është importi më i madh në historinë e Kosovës”, tha Shahini.
Ndërsa, njohësi i ekonomisë Safet Gërxhaliu shpreh pikëpamjen se mungesa e reformave në tregun e energjisë dhe varësia nga importi po i lënë qytetarët dhe bizneset në mëshirë të çmimeve të jashtme.
“Deklaratat e ZRRE-së për rishikim të vendimit për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike nuk janë befasi, pasi që ne kemi paralajmëruar që do të ketë prapë ngritje të çmimit të energjisë elektrike në fund të vitit për shkak se nuk kemi vendim për rregullim të tregut të lirë, nuk kemi eliminim të procedurave burokratike për dhënie të licencave për prodhim vendor të energjisë elektrike, qoftë në bazë të diellit por edhe në aspektin hidro. Jemi të varur nga importi, atëherë fatin e çmimit nuk e diktojnë qytetarët e Kosovës, por e dikton tregu. Derisa ne nuk do të kemi pavarësi ekonomike, ne do të varemi nga importi që po e dëmton sektorin privat, sektorin e biznesit. Në Kosovë shumë më tepër kemi remonte sesa që kemi në investim të zgjerimit të kapaciteteve prodhuese, kjo është një strategji politike”, tha Gërxhaliu.
Ai e konsideron rritjen e re të çmimit të energjsië si shqetësuese, sidomos në kohë inflacioni dhe stagnimi ekonomik.
“Po ndodh ngritja e çmimit të energjisë në kohën kur kemi inflacion dhe rritje të çmimit dhe në kohën kur Kosova po zbrazet. Në këtë garë për të ngritur çmimet, falë inflacionit dhe aferave korruptive, kemi ngrirje të pagave qoftë në sektorin privat dhe atë publik. Është shumë shqetësuese”, shtoi Gërxhaliu.
Ditë më parë në një konferencë për media, ZRRE-ja ka kërkuar nga bizneset respektim të vendimeve ligjore, duke deklaruar se rritjet nuk janë dëshirë, por detyrim ligjor. /Ekonomiaonline