Zyrtari i Vetëvendosjes, Faruk Mujka e ka sulmuar gazetaren e KTV-së, Mimoza Koprani Muçaj rreth çështjes së Ibër Lepencit dhe infrastrukturës së saj, në dritën e sulmit në kanalin e këtij sistemi më 29 nëntor.
Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Mujka përdori një gjuhë tejet të vrazhdë ndaj gazetareses ndërsa ballafaqonte disa nga pohimet e saj.
“Kjo është skajshmërisht e poshtër dhe keqpërdorim ekstrem i mediumit publik me qëllim të përhapjes së gënjeshtrave dhe denigrimin e personave që ju pengojnë qëllimeve të tyre, pra qëllimeve të grupit të Stanishiqit. Kur ke këso media nuk të duhet fare Sputnik dhe Rusia Today. Ka kush kryen punën e tyre.” – tha ai ndër të tjera.
E, për këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e dënuar sulmin e kryeshefi ekzekutiv të Ibër-Lepencit, Faruk Mujka.
AGK-ja tha se Mujka ka reaguar për pyetjet e gazetares në intervistë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të cilat i ka quajtur si diçka “skajshmërisht e poshtër dhe keqpërdorim ekstrem i mediumit publik me qëllim të përhapjes së gënjeshtrave dhe denigrimin e personave që ju pengojnë qëllimeve të tyre, pra qëllimeve të grupit të Stanishiqit”.
“Ish-zyrtari i Vetëvendosjes e ka krahasuar televizionin KTV me Sputnikun dhe Russia Today, makina propaganduese të regjimit të Putinit. AGK-ja konsideron se kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme ndaj gazetares dhe mediumit ku punon ajo”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Tutje, AGK-ja tha se Mujka dhe zyrtarë të tjerë publikë duhet të ballafaqohen me të gjitha pyetjet që ngrihen për interesin e publikut dhe bëri thirrje që të ndalojnë së përdoruri gjuhë denigruese.