Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka dënuar fuqishëm fyerjet dhe kërcënimet e përsëritura të Sami Kurteshi nga LVV, ndaj mediave dhe gazetarëve.
Deklaratën e Kurteshit, AGK e ka cilësuar si të papranueshme dhe të rrezikshme.
‘‘Akuza e tillë, e paprecedent ndaj një medie, nga një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, jo vetëm që cenon lirinë e shtypit, por rrezikon edhe sigurinë e gazetarëve’’, thuhet ndër tjerash në reagim.
AGK po ashtu i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që urgjentisht të sigurojë që Kurteshi të mos pengojë punën e gazetarëve dhe të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave.
Reagimi:
AGK-ja dënon gjuhën skandaloze, kërcënuese dhe nxitëse të anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënon fuqishëm fyerjet dhe kërcënimet e përsëritura të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ndaj mediave, përfshirë një deklaratë skandaloze të bërë këtë të mërkurë.
Gjatë një pyetje drejtuar atij nga gazetarja e Gazeta Nacionale, Besarta Hoti, Kurteshi është përgjigjur me fjalët: “Ju jeni media kriminale, të vrasësve me pagesë.”
AGK-ja e konsideron këtë deklaratë si të papërgjegjshme, të papranueshme dhe të rrezikshme. Akuza e tillë, e paprecedent ndaj një medie, nga një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, jo vetëm që cenon lirinë e shtypit, por rrezikon edhe sigurinë e gazetarëve.
Për më tepër, Kurteshi ka përdorur edhe gjuhë seksiste, duke i thënë gazetares “ta hangsha loçkën”, një shprehje e padenjë dhe e papërshtatshme për çdo komunikim institucional.
AGK-ja i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që urgjentisht të sigurojë që përfaqësuesi i saj në KQZ të mos pengojë punën e gazetarëve dhe të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave. Sulmet verbale ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë seriozisht lirinë e medias në Kosovë.