Një rrjedhje masive dokumentesh zbuloi se dhjetëra udhëheqës të mëparshëm dhe të tanishëm botërorë, plus qindra të tjerë kanë përdorur kompani jashtë vendeve të tyre, për të fshehur pasurinë.
Gjetjet janë pjesë e një hetimi të kryer nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues.
Ato ekspozojnë marrëveshje të ndryshme financiare të rreth 35 udhëheqësve aktualë dhe të mëparshëm, si dhe të më shumë se 300 zyrtarëve, përfshirë: Mbretin e Jordanisë, presidentin e Rusisë, Ukrainës, Azerbajxhanit, Malit të Zi dhe kryeministrin e Republikës Çeke.
Dokumentet e emëruara si Letrat e Pandorës e lidhin presidentin rus, Vladimir Putin, me asete sekrete në Monako, ndërsa për kryeministrin çek, Andrej Babis, thonë se nuk ka deklaruar një kompani investimesh jashtë vendit, të cilën e ka përdorur për të blerë dy vila, në vlerë prej 16 milionë dollarësh, në jug të Francës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sipas Letrave të Pandorës, i ka transferuar aksionet e tij në një kompani sekrete jashtë vendit, pak kohë para se t’i fitonte zgjedhjet e vitit 2019. Një zëdhënës i Zelenskyt nuk ka pranuar të komentojë për gjetjet.