Sport

Ademi optimist para play-offit: S’ka kundërshtar të lehtë, por Kosova është gati për finalen në Prishtinë

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është shprehur i vendosur dhe optimist pas shortit të play-offit, ku Kosova do të përballet me Sllovakinë në gjysmëfinale.

Ai theksoi se në këtë fazë çdo kundërshtar është i fortë, por beson se Dardanët kanë të gjitha mundësitë për ta kaluar me sukses këtë pengesë.

“Shorti është gjithmonë finale, secili ekip është shumë i fortë. Ne, nëse e japim 100%, e kalojmë këtë hap duke shkuar në finale që zhvillohet në Prishtinë kundër Turqisë ose Rumanisë”, deklaroi Ademi.

Kreu i FFK-së nënvizoi se forma fizike e futbollistëve do të jetë vendimtare, duke shtuar se përfaqësuesja ka potencial të mjaftueshëm për të bërë historinë.

“Ne do të japim më të mirën, sepse nëse gjithë lojtarët janë në formë të mirë fizike dhe nuk ka lëndime apo mungesa për shkak të kartonëve, jam i bindur se hapin e parë do ta kalojmë,” u shpreh ai.

Kosova synon të arrijë finalen e madhe të play-offit që do të luhet në Prishtinë, ku në pritje janë Turqia ose Rumania, në varësi të rezultatit të gjysmëfinales tjetër. Dardanët pritet të nisin përgatitjet intensive për sfidën ndaj Sllovakisë, e cila do të jetë vendimtare për ëndrrën e kualifikimit.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button