Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka përkujtuar 24-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, shkruan GazetaDemos.
Ai ka thënë se çlirimi i ka dhënë fund një tragjedie njerëzore të vendit tonë, duke shtuar se tashmë kur liria është fakt, presim që çlirimtarët të kthehen nga Haga.
“24 vite në liri, kanë qenë një përvojë e jashtëzakonshme transformuese dhe me shumë vlerë për vendin tonë. Tashmë kur liria është fakt, kemi shpresa që ajo do të bëhet edhe festë, me kthimin e çlirimtareve tanë nga beteja e fundit për të vërtetën e epokës së lavdishme të UҪK-së”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Postimi i plotë:
Duke kujtuar 12 qershorin e 1999-tës, sot 24 vite pas, nderojmë dëshmorët e UÇK-së, që me jetën e tyre e vendosën themelin e atdheut tonë të lirë e të pavarur. Çlirimi i Kosovës nga robëria, i dha fund një tragjedie njerëzore dhe restauroi një të drejtë kombëtare, dy anë vendimtare që i arritëm bashkë me NATO-n dhe veçmas me SHBA-të, partneritetin me të cilët duhet ta ruajmë sot më shumë se kurrë.
24 vite në liri, kanë qenë një përvojë e jashtëzakonshme transformuese dhe me shumë vlerë për vendin tonë. Tashmë kur liria është fakt, kemi shpresa që ajo do të bëhet edhe festë, me kthimin e çlirimtareve tanë nga beteja e fundit për të vërtetën e epokës së lavdishme të UҪK-së.
Urime Dita e Çlirimit!