Sot kanë nisur zyrtarisht punimet e rrugës A, një ndër rrugët më të rëndësishme të kryeqytetit që parashihet të ndikojë pozitivisht në rregullimin e trafikut urban, shkruan GazetaDemos.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo rrugë është një ndër investimet më të mëdha në kryeqytet.
“Një nga investimet më të mëdha kapitale në Kryeqytet, ai i Rrugës A nisi sot. Prishtinës po i shtohet dhe një segment i ri, që lidhë Rrugën B me përpjetëzen në Veternik. Një lagje e re, një komunitet i ri, një pjesë e bukur e Prishtinës po nisë të formësohet sot.”
Më tutje ai ka treguar se procedimi i punimeve për këtë rrugë përbën edhe një ndër premtimet e partisë së tij gjatë fushatës elektorale.
“Rruga A, me gjashtë korsi, shtigje të biçikletave, trotuare për këmbësorë e me gjelbërim ishte zotim elektoral i yni.
Investimi i fundit i madh infrastrukturor në Prishtinë, kishte ndodhur 10 vite më parë; ironikisht vet Rruga B, aty ku kjo rrugë e sotme vazhdon.
Kosova mundet më shumë!”/Demos/