Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar deklaratën e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se “Kosova është projekt i përkohshëm”.
Abdixhiku, përmes një shkrimi në Facebook tha se sot, Kosova udhëhiqet nga populistë mosbesues.
“Ç’të duhen kundërshtarët e jashtëm, kur i ke të brendshmit? Republika e Kosovës, sot udhëhiqet nga popullistë mosbesues të saj. Fati i projektit më të madh shqiptar, ‘Kosova shtet i pavarur e sovran’ është në duar të mohuesve të vet shtetësisë. Prandaj betimi mbi Republikë është farsë. Prandaj shkelja e Kushtetutës bëhet zakonshmëri. Sepse mosbesimi ndaj Kosovës është bindje”, shkroi Abdixhiku.
Abdixhiku ka shkruar se partia që ai udhëheq, beson në Republikë dhe se fëmijët e Kosovës meritojnë të besojnë në Republikë.
“Këta kanë atdhe të dytë. Ne kemi vetëm Kosovën. LDK-ja si formacion i vetëm pavarësist, beson në Republikë. Fëmijët tanë meritojnë të besojnë në Republikë! Në shtetin që prindërit e gjyshërit e tyre nuk e kishin por ua kanë lënë me plot sakrificë. Në shtetin që në vend të mbytjes së ëndrrave e dhënies së pasigurisë u jep shpresën se një ditë do të jenë të barabartë mes popujve e shteteve euroatlantik! Prandaj dhe zgjedhja juaj është fare e lehtë. Sepse Kosova është e përhershme”, përfundoi Abdixhiku.