Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk sheh asnjë dallim mes kreut të VV-së, Albin Kurtit dhe kryetarit të kuvendit, Dimal Bashës.
Abdixhiku tha se Kurti e Basha janë e njëjta mendësi, pasi sipas tij, njerëzit e tillë prodhojnë rezultate të tilla.
“Nuk shoh dallim mes Albin Kurtit dhe produkteve të tij si Dimal Basha, është e njëjta mendësi… absolutisht, sepse njerëzit e tillë prodhojnë rezultate të tilla”.
“Dora ime, nënshkrimi im, mendimi im s’kish propozuar askund një gjë të tillë për krye të Kuvendit, ta keni të sigurt”, tha Abdixhiku në RTV Dukagjini.
Tutje, Abdixhiku ka theksuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk duhet gjykuar, pasi ata janë reflektim i popullit, duke pasur parasysh se në listën garuese për deputetë të subjekteve politike përfshihen të gjitha kategoritë e njerëzve që përfaqësojnë shoqërinë.
“Me ju thënë të drejtën, edhe prej takimeve personale ne shpeshherë kemi mbetur të shokuar nga cektësia e mendimeve të Albin Kurtit në diskutime. Për shembull, në takimin që kemi pasur me liderët politikë ku ishim mbledhur të gjithë, niveli me të cilin ai interpretonte në gjuhën shqipe vendimin e Gjykatës Kushtetuese – fakti që s’i kuptonte gjërat e shkruara shqip – ishte shqetësues për secilin prej nesh”, ka thënë Abdixhiku.