Abdixhiku nis takimet me liderë rajonalë, takohet me Zaev

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është pritur sot në Shkup nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, njofton LDK.

Abdixhiku, i shoqëruar nga nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, kanë vizituar sot Kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev. Në ketë takim, është diskutuar perspektiva e dy vendeve fqinje, zhvillmiet e fundit politike në rajon, si dhe bashkëpunimet partiake në mes të përfaqësuesve politik të Kosovës e Maqedonisë Veriore në vazhdimësi.

Abdixhiku dhe kryeministri Zaev theksuan se dy vendet, si dy shtete të afërta, duhet të ruajnë e kultivojnë partneritetin dhe bashkëpunimin ndërshtetëror. 

Në takim kryetari i LDK-së, Abdixhiku ritheksoi se çdo bashkëpunim ekonomik rajonal nuk mund të jetë i plotë pa përfshirjen e gjithë shteteve të Balkanit Perëndimor; edhe më pak pa përfshirjen e Bashkimit Evropian. Mbi të gjitha, bashkëpunim ekonomik duhet të paraprihet nga pranimi i realitetit politik, si parakusht i një rajoni prosperues. 

Palët u dakorduan të vazhdojnë takimet e komunikimet e hapura e të drejta. 

Ky takim është vazhdim i një sërë takimesh, ku ditë më parë kryetari Abdixhiku bashkë me nënkryetarin Lutfi Haziri është takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ku ka shtruar çështjen e bashkëpunimit ndërshtetëror.  

Në ditët në vijim kryetari Abdixhiku do të takohet edhe liderët tjerë të shteteve fqinje për të diskutuar për partneritetin dhe perspektivën evropiane. 

Reklama