Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ftuar në një emision televiziv ka diskutuar lidhur me rezultatet e zgjedhjeve lokale, shkruan Gazeta Demos.
Në mesin e shumë temave Abdixhiku ka folur edhe për udhëheqjen e LDK-së në Pejë, ku tha se nuk i ka rënë shpesh të vizitojë objektin fizik të Komunës.
“Nëse më thotë dikush shko në Komunë të Pejës, nuk e di ku është”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
Tutje Abdixhiku ka folur edhe për idetë dhe parimet e LDK-së.
“LDK-ja ka ide, kur ke ide lehtë i afron njerëzit, lehtë e afron Përparimin dhe tjetrin…”, është shprehur Abdixhiku.
Ai gjithashtu ka deklaruar se LDK ka problem me aktivizimin e nëndegëve.
“Njerëz për të humbur nuk kemi, por njerëz të mjaftueshëm nuk kemi”, ka potencuar më tej i pari i LDK-së.
Poashtu gjatë këtij emisioni është diskutuar edhe për kuotat gjinore në Parlament, ku Abdixhiku ka thënë se nuk beson shumë në kuota sepse janë artificiale.
“Unë në kuotë besoj pak, më duket artificiale, më pas po keqpërdoret nga partitë poliitke… Kjo shoqëri i voton gratë, njeriu më i votuar në Kosovë është grua. LDK është njohur si parti ku edhe gratë dhe njerëzit e mençur kanë pasur vend”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Abdixhiku ka folur edhe lidhur me udhëheqjen e Përparim Ramës në Prishtinë, ku ka thënë se ky i fundit do të vetëqeverisë, pa u ndikuar shumë nga LDK dhe udhëheqësit e saj.
“LDK do qeverisë me Përparim Ramën e prej Përparim Ramës”, ka potencuar Abdixhiku.
Ndryshe, këto zgjedhje lokale LDK në krye me Abdixhikun ka arritur të fitojë 8 komuna.