Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka kujtuar veprimtarin dhe gazetarin Enver Maloku në 26-vjetorin e vrasjes së tij.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se sot kujtojnë jo vetëm njeriun që dha gjithçka për Kosovën, por edhe idealet e tij që mbeten të gjalla për të udhëzuar në ndërtimin e së ardhmes.
“Me familjen Maloku – me Doruntinën dhe Drinin dhe me bashkëpunëtorë të Lidhjes, sot u mblodhëm përballë portretit të tij në Murin e Nderit në Selinë Qendrore të LDK-së, aty ku qëndrojnë emrat e atyre që ndërtuan themelet e Kosovës, për ta kujtuar dhe nderuar veprën dhe trashëgiminë e tij të pashlyeshme në lëvizjen kombëtare për liri, pavarësi dhe demokraci”.
“Sot kujtojmë jo vetëm njeriun që dha gjithçka për Kosovën, por edhe idealet e tij që mbeten të gjalla për të na udhëzuar në ndërtimin e së ardhmes. Enver Maloku nuk ishte vetëm një gazetar dhe veprimtar i shquar i Lidhjes Demokratike dhe i lëvizjes kombëtare për liri; ai ishte një frymëzim për brezat që besojnë në lirinë e shprehjes, në fuqinë e fjalës dhe në detyrën e secilit prej nesh për t’i mbrojtur vlerat e kombit”, tha Abdixhiku.