Abdixhiku i reagon Kurtit e Muratit: Prishtina as nuk lakmohet e as nuk përdoret për beteja primitive të Don Kishotit me Sanço Pançot e tij
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj, siç i quan ai, bllokimeve të pushtetit ndaj Kryeqytetit gjatë vitit të fundit. Ai tha se Prishtina “foli e para dhe qartë” duke e rikthyer LDK-në si partinë e parë, ndërsa “bllokuesit i la larg”.
Sipas Abdixhikut, mesazhi i qytetarëve të Prishtinës nuk është kuptuar ende nga qeveria, por “më 28 dhjetor do ta marrin sërish”,.
Ai akuzoi pushtetin se për 12 muaj e ka mbajtur Prishtinën pa buxhet, duke e lënë Kryeqytetin “si nën pushtim”, në një gjendje të bllokuar burokratike.
“Na u dashtë të shpenzojmë energji e kohë për ta mirëmbajtur Prishtinën me mund, të plaçkitur nga një sekt popullist që shkatërrimin e vendit e ka mision,” deklaroi ai, duke shtuar se pushteti ka shpërndarë “vitra pa ligj e pa legjitimitet” për interesa politike.
Abdixhiku theksoi se “koha e tyre po mbaron” dhe u bëri thirrje qytetarëve për bashkim.
“Prishtina do të flasë sërish; e para!”, përfundoi ai.