Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kujton heroin Agim Ramadani, në 26 vjetorin e rënies së tij.
Ai është shprehur se përkulet me nderim dhe mirënjohje të thellë para veprës së “Katanës” shumëdimensionale dhe sakrificës së jashtëzakonshme për lirinë e vendit tonë.
“Agim Ramadani nuk ishte vetëm strateg ushtarak dhe luftëtar i paepur, por edhe piktor e shkrimtar, që idealin e lirisë e bëri pjesë të çdo vargu dhe veprimi të tij. Pra sot, kujtojmë jo vetëm luftëtarin e pathyeshëm, por edhe artistin që me penën dhe brushën e tij, i dha ngjyrë ëndrrës për liri. Ishte ai i cili, në kohët më të rënda zgjodhi përballjen, duke u bërë shembull i përhershëm i atdhedashurisë dhe sakrificës”.
“Agimi ra në agimin e 11 prillit 1999, në Betejën e lavdishme të Koshares, duke udhëhequr me guxim Grupin Operativ – 3, dhe duke shkruar me vetë gjakun e tij, njërën nga faqet më të ndritshme të historisë sonë. Ai ra, por nuk u shua në kujtesën tonë, sepse heronjtë si Agimi nuk vdesin kurrë, ata bëhen dritë në rrugëtimin tonë si popull. Pra, në agimin e lirisë, heroi Agim Ramadani u bë dritë për përjetësi!”
“Në këtë përvjetor nderojmë me mirënjohje të thellë figurën unike të Agim Ramadanit dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe shtetësinë tonë. Vepra e tyre është udhërrëfyesi ynë i përhershëm”, ka thënë Abdixhiku.