Martin Vulaj, president i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikan (AARC), ka shfaqur shqetësimin e tij në lidhje me tensionet e fundit ndëretnike në Maqedoni të Veriut.
Sipas një reagimi të publikuar në faqen e tij në Facebook, Vulaj thotë se javëve të fundit ka pasur incidente në ngjarje sportive që nxisin urrejtje dhe përçarje etnike.
Ai përmend rastin e ndeshjes së basketbollit mes Rumanisë dhe Maqedonisë së Veriut në Kumanovë, ku tifozët brohoritën slogane që bënin thirrje për vdekjen e shqiptarëve dhe asgjësimin e tyre në dhoma me gaz.
Si reagim, Vulaj thotë se disa tifozë shqiptarë në një ndeshje futbolli në Tetovë shfaqën pankarta që bënin thirrje për shkëputje.
“Ky spiral i rrezikshëm duhet të ndalet menjëherë. Udhëheqësit politikë nga të gjitha komunitetet duhet të veprojnë me vendosmëri për të dënuar dhe parandaluar shfaqjet e tilla të urrejtjes, para se ato të destabilizojnë më tej vendin”.
“Brohoritjet anti-shqiptare përforcuan në mënyrë të dhimbshme perceptimin e kahershëm të shqiptarëve se trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe si të huaj në atdheun e tyre. Nga ana tjetër, mesazhet separatiste nxitën frikë tek maqedonasit sllavë për qëllimet e shqiptarëve dhe për unitetin e ardhshëm të shtetit”, tha ndër të tjera Vulaj.
Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në vitin 2001, kreu i AARC-së thotë se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim domethënës drejt integrimit dhe bashkëjetesës etnike. Sipas tij, ka ende sfida, mirëpo thekson se shqiptarët kanë kaluar nga margjinat në pjesëmarrje aktive në institucionet politike, ekonomike dhe akademike. “Ky progres nuk duhet të prishet”, thotë Vulaj.
Sipas tij, dënimi i dhunës së urrejtjes nga ana e qeverisë erdhi me vonesë, por thekson se megjithatë, “ai ishte i qartë”.
“Tani, udhëheqësit shqiptarë duhet gjithashtu të dënojnë pa asnjë ekuivok çdo retorikë që cenon integritetin territorial të vendit”.
Vulaj kujton se gjatë konfliktit, shqiptarët refuzuan ofertën për të ndarë Maqedoninë mbi baza etnike, duke zgjedhur në vend të kësaj një të ardhme të përbashkët evropiane.
“Ky parim duhet të vazhdojë ta udhëheqë vendin përpara. Të gjitha palët duhet të punojnë së bashku për të eliminuar retorikën me bazë etnike dhe për të parandaluar kthimin në kapitujt e errët të së kaluarës. Vetëm përmes unitetit, respektit dhe udhëheqjes, Maqedonia e Veriut mund të mbetet në rrugën drejt paqes së qëndrueshme dhe integrimit evropian”, theksoi në fund të mesazhit të tij, Martin Vulaj, president i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikan (AARC).