Pesha e tepërt është bërë problem global sepse kjo e fundit shfaq një sërë komplikimesh shëndetësore dhe mund të ndikojë në mortalitet/vdekje të hershme. Problemi në shoqerinë tonë nuk është humbja e peshës por është mbajtja e peshës së humbur për një periudhë afatgjate.
Rolin kryesor në ngritjen e ritmit metabolik dhe termogjenezës (lirimi i energjisë në formë të nxehtesisë) e luan gjëndra tiroide. Gjëndra tiroide është një gjëndër e vogël, në formë të fluturës, e cila gjindet në pjesën e përparme të fytit, saktësisht poshtë mollës së Adamit.
Kur gjëndra flutur nuk prodhon hormone tiroide të mjaftueshme, balanci metabolik çrregullohet dhe rrjedhimisht pason shtimi i peshes.
Por kjo nuk do të thotë që humbja e peshës është e pamundur, vetëm se bëhet më e vështirë. Për të lehtësuar këtë rrugëtim këshillohet të konsultoheni me nutricionistin/dietologun tuaj.
Çrregullimi i tillë i gjëndrës tiroide quhet hipotiroidizëm dhe prevalenca e shfaqjes së kesaj sëmundje është 1 në 300 persona.
GazetaDemos ka kontaktuar nutricionistët e Partners in Diet, të cilët treguan se kjo sëmundje karakterizohet me këto simptoma:
- Shtimi i peshës
- Gushë e fryrë (goiter) dhe ngjirje e zërit
- Lëkure e thatë dhe flokë të dobët
- Tolerancë e dobët ndaj të ftohtit
- Kapsllëku
- Kujtesë e dobët dhe gjumë i çrregulluar
Nëse keni këto simptoma, ka gjasa që të diagnostikoheni me hipotiroidizëm.