Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka folur edhe njëherë lidhur me raportimet për aferë me rezervat shtetërore, raporton GazetaDemos.
Ajo sërish ripërseriti deklaratën mohuese të saj për përfshirje të mundshme në këtë skandal shtetëror, teksa tha se nuk ka qenë as e përfshirë në negocim, as në blerje, as në pranim dhe as në dorëzim.
“Ju i keni parë vendimet e Gjykatës së Apelit të Supremes që konstaton që nuk ka pasur bazë që zyrtarët e ministrisë të burgosen derisa nuk është konstatuar një vepër penale dhe unë ia lë këtë drejtësisë të veprojë sipas ligjeve në fuqi”, tha Hajdari.
Ministrja nga gazetari i RTK-së kur u pyet se si nuk është aferë kjo, tha se “e konkludoj që për zyrtarët e ministrisë flet vendimi i Gjykatës së Apelit të asaj Supreme”.
Ajo po ashtu foli për intervistimin nga Gjykata, duke thënë se bashkëpunoi për t’u zbatuar ligji që i përket kësaj shkeljeje.
“Jam e gatshme për çdo intervistim sipas ligjeve në fuqi dhe pres që të zbatohet Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasfifikuar e Ligji për Rezervën Shtetërore dhe të tjera në fuqi dhe nuk më takon të shpalos më shumë për një sekret shtetëror”, tha ajo për RTK.
E njëjta, teksa u pyet nëse ka pranuar ndonjë e-mail lidhur me këto rezerva, u nevrikos, madje i kërkoi gazetarit që ta ndërpres diskutimin për këtë temë.
“A jeni ju sot prokuror apo gazetar? Të lutem, mbylleni këtë temë, sepse është çështje sekrete”, iu drejtua Hajdari-gazetarit.
“Dëgjo, se kur e mbylli temën e vendosë unë. Ju mund të thoni që s’mund të përgjigjem, por të më thoni të mbyll temën…”, iu përgjigj gazetari, Bashkim Vishaj.