Baza e planit franko-gjerman “është e mirë”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për shtyp të hënën, ku edhe tregoi se propozimet brenda këtij plani nuk janë refuzuar nga Kosova.
Derisa njoftoi se Serbia e ka refuzuar propozimin e këshilltarëve të Kancelarit Scholz dhe Presidentit Macron, shefi i ekzekutivit kosovar shtoi se megjithëse plani franko-gjerman “është hap në drejtim të duhur”, ka dhënë edhe “vërejtjet” e tij.
Baza e planit franko-gjerman “është e shëndosh”, ka thënë edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në një intervistë në “Rubikon” të martën. Ndonëse ditë më parë, zv/kryeministri dhe kryenegociatori në dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi, u shpreh se plani franko-gjerman më shumë i shkon për favor Beogradit, kryeministri tha se ajo është e pranuar nga Kosova.
Megjithatë, një gjë është e qartë nga ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi, të mbështetur edhe nga SHBA’ja. Krahas një marrëveshje të re të kornizuar nga Gjermania e Franca, Kosova obligohet që t’i përmbahet marrëveshjes së mbetur në “status-quo” për gati 10 vjet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumë Serbe – e që rrjedhimisht me pranimin e planit franko-gjerman nga Kosova nënkuptohet edhe pranimi për nisjen e negociatave për krijimin e saj.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar, e sidomos në kontekstin e ri të krijuar me paraqitjen e planit franko-gjerman, formimin e këtij Asociacioni të Komunave me shumicë serbe.
“Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni duhet të krijohet, gjë që e bën themelimin e tij obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e saj”, ka deklaruar ShBA.
Saktësisht të njëjtin formulim e ka pasur edhe Bashkimi Evropian, përkatësisht shefi i diplomacisë së jashtme të BE-së, Josep Borell.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se me daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës, Serbia vetëm se “po e respekton fjalën dhe nënshkrimin” e saj, për çka kërkuar tërheqjen mbrapsht të vendimit për targat dhe formimin e Asociacionit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se me daljen e serbëve nga institucionet e të urdhëruar nga Beogradi, Serbia vetëm se po e kamuflon refuzimin e saj të planit franko-gjerman.