A duhet të lejohet tërheqja e 30 për qind të mjeteve të Trustit? Flet deputeti i Listës Guxo

Tërheqja e 30 për qind të mjeteve të Trustit po vazhdon të kërkohet nga partitë opozitare.

Kjo po shihet si metodë për të tejkaluar sadopak krizën ekonomike në Kosovë, derisa rritja e çmimeve po vazhdon.

E kundër kësaj nisme të opozitës është Qeveria, e cila nuk e sheh si zgjidhje të krizës këtë.

Si zgjidhje permanente tërheqjen e mjeteve të Trustit nuk e sheh as deputeti i Listës Guxo, Burim Meta.

“Qeveria po bën politika fiskale interesante, është duke bërë politika ekonomike për t’i ndihmuar qytetarët. Duke pasur parasysh që 50 për qind e qytetarëve nuk mund të marrin më shumë se 50 euro ndërsa ata që kanë më shumë nuk i tërheqin hiç, po mendon që qeveria duhet të kujdeset që t’ua kursejë paratë atyre për pension. Nuk mendoj që është zgjidhje permanente”, është shprehur Meta.

Ndërsa, sa i përket pakos ndihmëse të Qeverisë me nga 100 euro për punëtorët e sektorit publik, privat, studentët dhe pensionistët e mos daljen e parave për punëtorët e sektorit privat, ai thotë se qytetarët janë të kënaqur dhe se së shpejti do të dalin për të gjithë ata që kanë aplikuar e që janë të regjistruar si punëtorë.

“I marrin, secili punëtor që është i lajmëruar do t’i marrë paratë. I kanë pritur me padurim qytetarët dhe me të vërtetë kanë qenë të kënaqur dhe kanë pritur se kur po ju dalin, shto kësaj edhe komponentën e studentëve, mendoj që është vendim i mirë i qeverisë, sado që të jetë ajo ndihmë, mendoj se ka zënë vend”, ka potencuar deputeti i Listës Guxo, Burim Meta.

Kujtojmë që deputeti Meta ka kërkuar që ambasadori Martin Berishaj të lirohet nga detyra, pas publikimit të skandalit.

Reklama