Zlatan Ibrahimovic nuk ka vendosur ende nëse do ta vazhdojë karrierën si futbollist apo do të pensionohet gjatë kësaj vere.
Sulmuesi suedez këtë sezon është përballur me lëndime, të cilat ia pamundësuan ta jepte kontributin e tij në muajt e fundit.
E problemet fizike do të jenë vendimtare nëse 40 vjeçari do të luajë edhe një vit apo jo.
“Po, kam probleme fizike. Së pari më duhet të jem mirë dhe kur ta kuptoj këtë, do të jap përgjigje të tjera. Nëse arrij të jem mirë, nuk do të jetë kjo ndeshja ime e fundit. Varet se çka do të ndodhë këto ditë”, deklaroi Ibra për “Dazn”.
Veterani i sulmit po e shijon në maksimum këtë titull me Kuqezinjtë.
“Kjo është Scudetto është më e kënaqshme se të tjerat. Unë kam premtuar se do ta rikthej Milanin në krye dhe se do ta fitojmë Scudetton. Shumë njerëz qeshnin dhe unë jam këtu si kampion, me një skuadër në të cilët jo shumë njerëz besonin. Kemi sakrifikuar dhe kemi vuajtur, kur vepron kështu, gjithçka është e mundshme. Këtë vit kam vuajtur shumë, nuk dua të jap më shumë detaje. Në ditët në vazhdim do të flas për gjithçka që më ka ndodhur”, vazhdoi Ibra, i cili titullin e kampionit ia dedikon menaxherit Mino Raiola, i cili ndërroi jetë së fundmi.
“Ia dedikoj atij, është trofeu i parë që e fitoj pa të. Mino më ka thënë se vetëm unë do të mundë ta shpëtoja Milanin”, përfundoi Ibrahimovic.