Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK’së, Enver Hoxhaj, e ka uruar kryetarin e sapozgjedhur të kësaj partie, Memli Krasniqin, teksa ka kërkuar reformim të strukturave.
Hoxhaj, me anë të një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka deklaruar se përgjatë Konventës zgjedhore, e dhjeta me radhë për këtë subjekt politik, është ndjerë mungesa e ish-krerëve të PDK’së, të cilët po gjykohen në Hagë për krime lufte, shkruan Gazeta Express.
“Zgjedhja e mikut e bashkëpunëtorit tim, Memli Krasniqi në krye të PDK-së është një nevojë dhe domosdoshmëri. Është lajm i mirë për PDK-në dhe për Kosovën. Partia ka nevojë të hapet dhe të reformohet por asnjëherë ta harroj të kaluarën e saj që buron tek lufta çlirimtare”, thuhet në postimin e tij.
“Në Konventën e dhjetë zgjedhore të partisë, të gjithë e kemi ndjerë mungesën e liderëve historik Hashim Thaçi e Kadri Veseli, por kemi debatuar e vepruar me shikimin nga e ardhmja”, deklarohet tutje.
Nga 794 delegatë që morën pjesë në Konventë, 787 prej tyre votuan pro Krasniqit, kurse 7 prej tyre ishin kundër.