Baraliu: Kundërthëniet kushtetuese për dekretin e Osmanit duhet t’i zgjidhë Gjykata Kushtetuese
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu e ka cilësuar të ngutshëm dhe impulsiv dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërbërjen e Kuvendi i Kosovës.
Sipas tij, vendimi ka shkaktuar pasoja institucionale dhe ka thelluar krizën politike në vend.
Në një prononcim për IndeksOnline, Baralizu ka thënë se vendimi është marrë me nxitim dhe ka paralizuar dy shtylla kryesore të pushtetit, në veçanti atë legjislativ.
“Dekreti i presidentes ka qenë i ngutshëm dhe impulsiv dhe ka shkaktuar pasoja. Ka paralizuar dy shtylla të pushtetit, sidomos shtyllën legjislative, e cila është formuar para pak javësh dhe tashmë nuk mund të funksionojë”, ka thënë Baraliu.
Ai vlerëson se situata e krijuar ndikon edhe në funksionimin e presidencës, sidomos në periudhën kur sipas tij ky institucion duhet të jetë më aktiv.
“Nuk mund të funksionojë as presidenca në muajt dhe ditët e fundit, kur do të duhej të ishte shumë aktive”, ka thënë Baraliu për IndeksOnline.
Tutje ai thotë se dëmi institucional mund të thellohet edhe më shumë nëse vihen në pikëpyetje edhe funksionet e qeverisë në detyrë.
“Dëmi është edhe më i madh kur flitet edhe për qeverinë në detyrë, sepse po paralizohet shteti. Me këtë dekret kemi hyrë në një krizë tjetër”, vlerëson Baraliu.
Sidoqoftë, Barailu pret që Gjykata Kushtetuese të dal me një venimd të qartë rreth dekretit të presidentes.
Duke folur rreth kësaj çështje, profesor Baraliu thotë se ekziston një kundërthënie mes dispozitave kushtetuese mbi të cilat është mbështetur dekreti i presidentes, përkatësisht mes nenit 86 të Kushtetuta e Kosovës dhe nenit 82 paragrafi 3.
Sipas tij, neni 86 që flet për afatin 30-ditor për zgjedhjen e presidentit nuk është i definuar qartë dhe nuk përcakton se çfarë ndodh nëse ky afat nuk respektohet.
Ndërkohë, neni 82 paragrafi 3 parasheh se nëse procedura për zgjedhjen e presidentit fillon brenda afatit kushtetues, atëherë zgjedhja duhet të përfundojë brenda një periudhe maksimale prej 60 ditësh.
“Pra kemi dispozita kontradiktore dhe brenda këtyre dispozitave, Gjykata Kushtetuese ka për detyrë që të sjellë verdiktin e saj”, ka deklaruara ai.
Baraliu vlerëson se vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë në funksion të ndërtimit dhe stabilitetit të institucioneve.